Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, ka deklaruar se mosndëshkimi ushqen destabilizim dhe se pa llogaridhënie nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme. Këto komente ajo i bëri gjatë pjesëmarrjes në takimin e Grupit të Miqve për Llogaridhënie të Agresionit ndaj Ukrainës.
Gërvalla theksoi nevojën për drejtësi dhe për veprime konkrete nga bashkësia ndërkombëtare ndaj agresionit rus në Ukrainë, duke e lidhur këtë qëndrim edhe me përvojën e vetë Kosovës.
“Dënova agresionin rus ndaj Ukrainës dhe theksova se mosndëshkimi ushqen destabilizim, siç e dëshmoi edhe sulmi i 24 shtatorit 2023 në Banjskë. Me Ukrainën ndajmë dhimbjen për jetët e humbura dhe respektin për qëndresën stoike të popullit ukrainas. Mbështetja jonë për Ukrainën mbetet konkrete dhe transparente.”
Ajo shtoi se Kosova e njeh mirë çmimin e lirisë dhe rëndësinë e mbështetjes nga partnerët ndërkombëtarë.
