Dy vjet pas sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit, shumë pyetje kanë mbetur pa përgjigje.
Policia e Kosovës më 24 shtator të 2023-ës humbi një zyrtar të saj, rreshterin Afrim Bunjakun, ndërsa vendi u trondit nga sulmi, transmeton Klankosova.tv.
Avokati Azdren Bytyqi, në emisionin “Ora Shtatë”, thotë se Prokuroria Speciale ka bërë një punë të shkëlqyer në këtë rast.
“Unë personalisht e kam analizuar aktakuzën e ngritur ndaj 44 të dyshuarve për pjesëmarrjen në rastin Banjska, dhe konsideroj se Prokuroria Speciale ka bërë një punë shumë të madhe duke përgatitur aktakuzën në mënyrën më të mirë të mundshme, me të gjithë dëshmitarët që e kanë mbështetur aktakuzën dhe materialet që mbështesin pretendimet e Prokurorisë se janë kryer vepra penale për të cilat të njëjtit akuzohen. Po ashtu janë ndërmarrë veprime shtesë, ku janë sekuestruar pasuri të cilat dyshohen se janë burim i financimit të terrorizimit të këtij grupi”, u shpreh Bytyqi.
Sipas avokatit, në këtë proces institucionet e vendit kanë mundur të bëjnë më shumë, megjithëse sipas tij, ka prova të mjaftueshme të ngritet aktgjykim ndaj këtij grupi.
