Mbi dy milionë myslimanë nga e gjithë bota pritet të marrin pjesë në pelegrinazhin vjetor të Haxhit në Mekë të Arabisë Saudite, i cili këtë vit fillon më 25 maj, pas shikimit të hënës së re në Arabinë Saudite.
Haxhi konsiderohet tubimi më i madh vjetor i myslimanëve dhe është një nga pesë shtyllat themelore të Islamit. Për shumë besimtarë, ky është një udhëtim unik shpirtëror që realizohet vetëm një herë në jetë.
Çfarë është Haxhi?
Haxhi është pelegrinazhi vjetor në qytetin e shenjtë të Mekës dhe përbën shtyllën e pestë të Islamit, krahas dëshmisë së besimit, faljes së pesë kohëve të namazit, zekatit dhe agjërimit të Ramazanit.
Ky obligim fetar duhet të kryhet të paktën një herë në jetë nga çdo mysliman i rritur që ka mundësi fizike dhe financiare për ta realizuar, raporton Aljazeera.
Kur zhvillohet Haxhi?
Ritet e Haxhit kryhen nga data 8 deri më 12 ose 13 e muajit Dhul-Hixhe, muaji i fundit i kalendarit islamik.
Në vitin 2026, Haxhi do të mbahet nga 25 deri më 27 maj, megjithëse shumë pelegrinë mbërrijnë në Arabinë Saudite javë më herët për përgatitje.
Për shkak se kalendari islamik bazohet në ciklin hënor, datat e Haxhit ndryshojnë çdo vit në kalendarin gregorian, duke u zhvendosur rreth 10 deri në 12 ditë më herët.
Pse kryhet Haxhi?
Sipas besimit islam, Haxhi është urdhër hyjnor i përmendur në Kuran. Pelegrinazhi simbolizon përkushtimin ndaj Zotit, kërkimin e faljes, pastrimin shpirtëror dhe barazinë mes besimtarëve, pa dallim kombësie, statusi apo pasurie.
Ritet e Haxhit janë të bazuara në traditën e Profetit Muhamed gjatë “Haxhit të Lamtumirës” në vitin 632.
Si kryhet Haxhi?
Haxhi përfshin një seri ritualesh që zgjasin pesë ditë.
Dita e parë: Hyrja në ihram dhe tavafi
Pelegrinët hyjnë fillimisht në gjendjen e shenjtë të njohur si “ihram”. Burrat veshin dy copa të bardha, ndërsa gratë veshje modeste, duke simbolizuar barazinë dhe përulësinë para Zotit.
Më pas ata kryejnë “tavafin”, duke u rrotulluar shtatë herë rreth Qabes në xhaminë e Madhe në Mekë.
