Analisti Dardan Gashi ka vlerësuar se, pavarësisht diskutimeve të fundit politike, ende nuk ka parë shenja konkrete të “llogaritjeve” apo “servilizmit” nga partitë, por ka përshtypjen se njëra prej tyre po tregon më shumë vullnet për të gjetur një zgjidhje për ngërçin institucional.
Gashi tha se koalicionet e gjera nuk janë diçka e panjohur në politikën e Kosovës dhe mund të jenë të nevojshme nëse nuk gjendet një alternativë tjetër.
“Hala nuk kam parë llogaritje apo servilizje konkrete. Po kam përshtypjen se njëra nga partitë ka më shumë dëshirë për të gjetur zgjidhje. Nuk është hera e parë, nëse nuk ka zgjidhje tjetër duhet me u bo një koalicion më i gjerë”, u shpreh ai ne emisionin “Debat Plus” ne Televizionin Dukagjini.
Sipas tij, është e pasaktë të thuhet se opozita nuk ka opsione politike, duke kujtuar se në të kaluarën partitë opozitare kishin siguruar shumicë parlamentare me mbi 65 deputetë.
Ai vlerësoi se rezultati i Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e fundit nuk mund të konsiderohet plotësisht i kënaqshëm, sidomos pas humbjes së rreth 100 mijë votave.
