Një numër i konsiderueshëm i mërgimtarëve po arrijnë suksese në diasporë, duke u bërë emra të njohur në skenën politike dhe jo vetëm. Sllovenia pa dyshim se është një nga shtetet evropiane, ku mundësia e arsimimit, punësimit, depërtimit në karrierë dhe formimit profesional e etik është e madhe.
Arritjeve të shqiptarëve në Slloveni pa dyshim i shtohet edhe Ganimet Shala, e cila ka hyrë në histori si asambleistja e parë shqiptare në Parlamentin e qytetit të Lubjanës.
Nga Kosova, për t’u bërë storie suksesi në Slloveni
E lindur në Pejë, por e rritur dhe e shkolluar në Lubjanë, Shala përfaqëson gjeneratën e mërgimtarëve që arritën të gërshetojnë rrënjët shqiptare me përvojën evropiane. Fillimet në Slloveni nuk ishin aspak të lehta, kujton Ganimetja.
“E nisa shkollimin në vitin e pare të gjimanazit, në moshën 14 vjeçare, një periudhë delikate për çdo të ri. Përveç moshës, gjithçka ishte e re për mua, gjuha, kultura dhe mënyra e jetesës. Megjithatë, me përkushtim dhe punë të vazhdueshme, ia dola ta tejkaloj çdo vështirësi”.
Vlen të theksohet se Ganimeti është magjistre në “Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Diplomaci” dhe ka një karrierë mbi 29-vjeçare në sektorin publik slloven, ndërkohë që Telekomi i Sllovenisë ishte puna e parë e saj që i solli shumë suksese.
“Telekomi ishte për mua edhe një shkollë e re, një familje e re. Aty kam mësuar çfarë do të thotë kultura e punës. Sllovenët janë shumë seriozë, punëtorë, secili e di përgjegjësinë e vet.” rrëfen ajo revisten Albinfo.ch.
Në fakt, Ganimet Shala nisi punën në Telekomin e Sllovenisë, si praktikante në “call center”, dhe pas disa viteve përkushtim, ajo u avancua deri në pozitën e menaxheres së disa kompanive bijë. “Në dhjetor të vitit 2025 do të mbush plot 30 vjet stazh pune të rregullt në këtë kompani,” shton ajo me krenari.
Jeta profesionale në politikë
Paralelisht me karrierën profesionale, Shala ka qenë gjithmonë aktive në jetën shoqërore dhe kulturore të shqiptarëve në Slloveni. Ajo është themeluese e Shoqatës së Grave Shqiptare “Teuta”, anëtare nderi e Shoqatës “Migjeni”, si dhe kryetare e Unionit të Shoqatave Kulturore Shqiptare në Slloveni.
Në vitin 2022, ajo kandidoi për herë të parë në zgjedhjet parlamentare të Sllovenisë, duke hyrë në histori si kandidatja e parë shqiptare për deputete dhe njëkohësisht si asambleistja e parë shqiptare në Parlamentin e Lubjanës për mandatin 2022–2026.
“Jam tejet mirënjohëse dhe krenare, ky titull bart në vete shumë përgjegjësi. Një pjesë të madhe të kohës ia kushtoj qytetarëve që më kanë votuar, megjithatë jo gjithçka është në dorën time.”
Përfaqësuese e një vizioni gjithëpërfshirës
Për Ganimet Shalën, hyrja në politikë nuk ishte thjesht ambicie personale, por një nevojë për të qenë zë i komunitetit shqiptar, duke mbrojtur edhe interesat e qytetarëve të tjerë sllovenë.
“Shqiptarët janë ata që fal tyre unë sot jam këtu ku jam, por nuk përfaqësoj vetëm shqiptarët, përfaqësoj të gjithë banorët e Sllovenisë,” shprehet ajo.
Vlen të theksohet se në partinë e Tanja Fajonit (Social Demokratët), Shala është pjesë aktive e grupeve që trajtojnë politikat banesore, çështjet ndërkombëtare, si dhe trafikun dhe sektorin publik në qytet. Nga viti 2024 ajo është edhe anëtare e Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale pranë Këshillit të Evropës, një arritje e rrallë për një shqiptare në diasporë.
Zëri i Kosovës në arenën evropiane
Një ndër temat që Shala ka ngritur shpesh është nevoja për njohjen e patentave të Kosovës në Slloveni, si dhe mundësia për blerjen e pasurive të paluajtshme nga shtetasit kosovarë me leje qëndrimi të përhershme.
“Presim që procesi i njohjes së patentave të Kosovës të mbyllet deri në fund të këtij viti,” thotë ajo, duke shtuar se çështja e pasurive të paluajtshme është më e ndërlikuar dhe lidhet me statusin ndërkombëtar të Kosovës.
“Emri dhe problematika e Kosovës rrallë dëgjohen në Parlamentin Evropian. Prandaj i bëj thirrje institucioneve të Kosovës që të jenë më aktive në anëtarësime dhe marrëveshje ndërkombëtare.”
