Pas shtatë orësh diskutimi, Kosova dhe Serbia janë pajtuar më 22 janar që të funksionalizojnë Komisionin për Personat e Pagjetur gjatë luftës në Kosovë, por që Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti ka frikën që Serbia prapë do të refuzojë zbatimin e këtij komisioni apo zbatimin e kërkesave të palës kosovare e që janë arkivat.
Hoti në një intervistë për Ekonomia Online ka treguar se në këtë takim, Serbia ka tentuar që t’ia humb fuqinë komisionit të përbashkët dhe me lënë brenda grupit punës apo mekanizmave të tjerë.
Ai thotë se kërkesat e Kosovës janë bërë të ditura prej kohësh dhe janë publike, veçanërisht ato që lidhen me qasjen në arkivat ushtarake serbe.
“Kërkesat veç i kemi parashtru qysh prej 15 janarit të vitit të kaluar, në qershor, në shtator i kemi ripërsëritur. Plus janë ato kërkesat e tjera publike që e dini që i kemi drejtuar letër Vuçiqit për arkivat e brigadës 37-të. Kështu që kërkesat tona janë të qarta, janë publike, nuk kam pasë pse me i fshehë, domethënë i kam shkru edhe në status në facebook edhe përmes mediave i kam tregu disa herë. Kërkesat janë shumë të qarta, veç pritet që brenda takimit të radhës, Serbia me tregu a është e gatshme me i zbatu kërkesat tona, që i bie a është e gatshme me na leju qasjen në arkivat e klasifikuara të ushtrisë, sidomos, përveç të tjerash, serbe të kohës së luftës“, tha ai.
Duke folur për qëndrimin e Serbisë, Hoti thotë se ajo ka tentuar vazhdimisht t’ia zbehë fuqinë politike Komisionit të Përbashkët.
“Çka e shtyu nuk e di, por besoj që nuk pat ku me shku më. Ajo çka deshti me bë Serbia është që deshti prapë me ia hup fuqinë komisionit të përbashkët, fuqinë politike po flas, sepse ne kemi edhe mekanizma të tjerë. Ne kemi grupin punues që është nën ndërmjetësim të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq. E kemi edhe grupin rajonal që është nën ndërmjetësim të Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur. Në këtë rast, mos të përsëritem edhe njëherë, por qëllimi im ishte involvimi i Bashkimit Evropian në këtë çështje në mënyrë që me pasë një lloj presioni apo kushtëzimi më të madh ndaj Serbisë në raport me fatin e personave të zhdukur. Tash Serbia këtë nuk po e pranonte. Në çdo format, ato 7 orë sa kemi qenë aty, Serbia tentoi që me ia hup fuqinë këtij komisioni të përbashkët dhe me e lënë brenda grupit punues apo mekanizmave të tjerë që i kemi. Natyrisht, qëndrimi im ishte që s’mundet me ndodhë një gjë e tillë sepse jemi pajtuar në vitin 2024 në dhjetor, dhe që qëllimi kryesor pse kemi ardhë në Bruksel që sa vite ka qenë ky. Dhe më në fund u pajtuan. Unë nuk kam qenë në atë takim, në fakt, takimet kanë qenë kryesisht përmes Bashkimit Evropian, përmes zotit Sorensen, dhe në takimin e zotit Sorensen me Serbinë tash çka kanë bisedu ata unë nuk e di. Më në fund kështu u dorëzuan prej asaj kërkese absurde ndoshta edhe e kanë pa që është absurde sepse nuk ka nevojë me themelu një mekanizëm tjetër kur veç e ke një të tillë dhe u pajtuan“, deklaroi ai.
Porse a do ta zbatojë Serbia këtë vendim, Hoti thotë se pritet që të shihet edhe forca e Bashkimit Evropian kur të ballafaqohet me rezistencën serbe.
