Gjatë deklaratave të dhëna sot në objektin e Trustit, drejtori menaxhues Adrian Zalli dhe kryesuesi i Bordit Emanuel Bajra kanë folur për rënien e tregjeve financiare pas tarifave të presidentit Trump, strategjinë afatgjate të investimeve, ndarjen e rrezikut sipas grupmoshave, si dhe përpjekjet institucionale për ruajtjen e performancës, uljen e tarifave dhe menaxhimin e qëndrueshëm të aseteve të kontribuuesve.
Drejtori menaxhues i Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës Adrian Zalli ka folur për rënien e tregjeve gjatë muajit prill, në kohën kur u implementuan tarifat nga presidenti Trump, duke theksuar se përderisa tregjet kishin rënie deri në 20%, fondi kishte rënie rreth 7%.
“Kjo është ndarja e rreziqeve për përfolje sipas grupmoshave, dmth dikush mund të marrë më shumë rrezik për shkak të moshave më të reja dhe është më gjatë në institucion, ndërsa për ata që janë afër pensionimit për ta rrezikshmëria është 0%.Tregjet financiare historikisht nga natyra janë të paparashikueshme, domethënë del një tarifë e paparashikuar dhe natyrisht tregjet reagojnë kundër saj, qysh reaguan në muajin mars, prill. Por me kalimin e kohës, kur e shikojmë afatgjatë, gjithmonë kjo është strategjia jonë investuese. Ne nuk investojmë për vitin pasues; strategjia jonë është 5 vjeçare, nëse e shikoni edhe strategjinë që e kemi publikuar nëpër faqe, është diçka që e kemi të sistemuar të tillë” tha Zalli.
Emanuel Bajra, kryesues i Bordit të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës, ka ndarë me publikun disa detaje mbi sfidat dhe punën e institucionit që drejton, duke theksuar vështirësitë e operimit në një ekosistem me mandate jashtëzakonisht pasive, por edhe përpjekjet për të ruajtur performancë dhe menaxhim të qëndrueshëm.
