Juristja e medias, Flutura Kusari, ka reaguar me shqetësim në profilin e saj pasi ka monitoruar një mbledhje të Komisionit të Pavarur të Mediave. Kusari ka thënë se ky institucion dëshiron që të disiplinojë mediat kritike ndaj Lëvizjes Vetëvendosje duke kërcënuar me marrje të licencës dhe mbylljes.
Kusari ka thënë se përgjatë diskutimit të rasteve është vërejtur mungesë e profesionalizmit gjatë vlerësimit, gjë që sipas saj vjen nga ndikimi politik.
“Gjatë diskutimit të rasteve, niveli i joprofesionalizmit, i cili sipas bindjes dhe vlerësimit tim është rezultat i ndikimit politik apo anshmërisë politike, ishte alarmues. Asnjëri nga anëtarët nuk pati guximin t’i përmendte faktet e rasteve apo emrat e politikanëve të përfshirë. Kurrë nuk kam marrë pjesë në ndonjë trup vendimmarrës ku shqyrtohen raste pa u prezantuar faktet dhe pa u përmendur emrat e personave të përfshirë. Ky është një nivel i lartë i joprofesionalizmit, mostransparencës dhe një sinjal i qartë se ky Komision nuk do të veprojë në mënyrë të pavarur dhe të paanshme”, ka shkruar ajo.
Reagimi i plotë:
Sot e monitorova mbledhjen e Komisionit të Varur Kundër Mediave dhe jam thellësisht e shqetësuar me qasjen e këtij institucioni.
Unë besoj se Komisioni ka për qëllim disiplinimin e mediave dhe moderatorëve që lejojnë dhe mundësojnë kritikë ndaj pushtetit të ushtruar nga Lëvizja Vetëvendosje, nën kërcënimin e marrjes së licencës dhe mbylljes së tyre.
Shqetësimet e mia, të listuara më poshtë, bazohen në analizën ligjore të vendimeve sanksionuese të lëshuara deri më tani prej se ka ardhur në pushtet kjo përbërje e Komisionit, monitorimin e mbledhjes së sotme dhe leximin e procesverbaleve të mbledhjeve të kaluara të shkruara nga OJQ-të.
1. Sot, për herë të parë prej se unë e monitoroj punën e KPM-së, u diskutua për mbylljen e një emisioni informativ, përkatësisht të Debat Plus. Nuk u vendos mbyllja e tij, por u tha se, nëse përsëriten “shkeljet”, do të shqyrtohet mundësia e mbylljes së emisionit (parafrazim i deklaratës).
2. Gjatë diskutimit të rasteve, niveli i joprofesionalizmit, i cili sipas bindjes dhe vlerësimit tim është rezultat i ndikimit politik apo anshmërisë politike, ishte alarmues. Asnjëri nga anëtarët nuk pati guximin t’i përmendte faktet e rasteve apo emrat e politikanëve të përfshirë. Kurrë nuk kam marrë pjesë në ndonjë trup vendimmarrës ku shqyrtohen raste pa u prezantuar faktet dhe pa u përmendur emrat e personave të përfshirë. Ky është një nivel i lartë i joprofesionalizmit, mostransparencës dhe një sinjal i qartë se ky Komision nuk do të veprojë në mënyrë të pavarur dhe të paanshme.
