Përfaqësues të 30 familjeve që ishin në proces gjyqësor me Gjon Shkëmbin, kanë rrëfyer mbi gjithë procesin.
Nipi i Gjon Shkëmbit, Elvis Shkëmbi, 30 vjeç dyshohet se vrau gjyqtarin Astrit Kalaja derisa ky I fundit po shpallte vendimin për pronën në të cilin familjet ishin në proces gjyqësor.
Duke komentuar ngjarjen, thonë se gjyqtari Kalaja u vra duke vënë drejtësinë në vend.
“Ne jemi vendosur në 1992 në këtë godinë me aktmarrëveshje me Bashkinë. Ne jemi vendosur si të pastrehë, si të persekutuar. Ne kemi kërkuar ta privatizojmë dhe Lorenc Luka tha se nuk e plotëson dhe më pas ia ka shit Gjon Shkëmbit. Lenc Luka është strumbullari që ia ka shit. Nuk e di si mund të shitet një banesë me 30 familje, pa vërejtje. Ai na akuzoi se marrëveshja ishte false e verifikoi kriminalistika. Ai u vra për ne u vra për drejtësi. U vra për të çuar të drejtën e pronës”
Tutje ata thonë se në vazhdimësi janë kërcënuar nga familja Shkambi.
“Shkambit i kemi kërkuar ku e ka burimin e pronës dhe nuk e ka. Mua më ka thënë vëllai i tij që do ta lëshosh pronën. Do ketë pasoja të tjerë. Do të vdes në këtë pronë. Unë shkodran gjithë jetën dhe ata kanë zbrit prej Malësisë së Madhe. Familja Kurtaj ka qenë një prej familjeve. Gjyqi ka qenë për gjobën e përmbaruesit dhe jo për pronësinë. Ne kemi kërkuar që çështja të shqyrtohet në themel për pronën. E kemi çuar në gjykatën e Shkodrës dhe në Tiranë. Të sjellë aktin e trashëgimisë së pronës”, thonë përfaqësuesit.