Ferat Shala ka bërë të ditur se nuk do të jetë pjesë e listës së kandidatëve të Partia Demokratike e Kosovës në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, duke e cilësuar këtë vendim si të parevokueshëm dhe të marrë pas një reflektimi të thellë politik.
Pas katër mandatesh si deputet në Kuvendi i Republikës së Kosovës, Shala thekson se ky hap nuk përbën tërheqje nga përgjegjësia politike apo nga idealet e PDK-së, por një kontribut për hapjen e rrugës për një brez të ri politikanësh me ide dhe energji të re.
Reagimi i tij:
PDK-së i duhet frymëmarrje e re, gjithmonë duke e ruajtur trashëgiminë dhe frymën autentike politike
Pas një angazhimi të gjatë politik, përkatësisht katër mandate si deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës, kam vendosur që të mos jem pjesë e listës së kandidatëve të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në zgjedhjet e ardhshme.
Ky është një vendim i parevokueshëm, të cilin e kam marrë pas një reflektimi të thellë mbi nevojat për ndryshim, që unë mendoj se i duhen partisë sonë.
Ky vendim nuk është aspak shmangie nga përgjegjësia politike, as nga idealet liribërëse dhe shtetndërtuese të PDK-së, me të cilat jam prirë gjatë gjithë rrugëtimit tim politik e institucional.
Përkundrazi.
Këtë vendim e marr si një akt që besoj se i shërben një qëllimi shumë më të madh se sa të qenit pjesë edhe e një legjislature parlamentare: krijimit të hapësirës për një brez të ri kuadrosh politikë, me energji të re, me ide reformatore, vizion më të qartë zhvillimor për të ardhmen e partisë sonë dhe rrjedhimisht edhe të vendit tonë.
Partia jonë, si një subjekt politik me rol qendror dhe historik në luftën për liri, në bërjen e paqes dhe në ndërtimin e shtetit të pavarur të Kosovës, ka nevojë të vazhdueshme për rilindje të brendshme; për rifreskim politik, për fuqizim idesh dhe vendimesh të reja.
Ka më shumë se pesë vjet që vendi ynë po përballet me një regres të përgjithshëm politik, ekonomik dhe institucional, i cili ka ndikuar në një zhgënjim të thellë qytetar, jo vetëm kundrejt klasës pushtetore.
Ngjarjet që pasuan pas dorëheqjes së Presidentit të Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi, kryetarit të PDK-së, z. Kadri Veseli, dhe dorëzimit të tyre në Hagë, më 5 nëntor të vitit 2020, prodhuan një realitet të ri, të paqartë, të ngarkuar me pasiguri dhe me shumë të panjohura për të ardhmen e vendit tonë.
Megjithatë, unë mbetem i bindur se kjo është vetëm një krizë kalimtare. Shoqëria jonë ka dëshmuar edhe në të kaluarën se di ta bëjë dallimin mes politikës iluzioniste – propagandistike që tingëllon mirë dhe asaj që është reale.
Në këtë kontekst, mendoj se skena politike dhe institucionale e Kosovës ka nevojë për më shumë energji; për angazhime dhe përgjegjësi të shtuara.
