Byroja Federale e Hetimeve (FBI) në SHBA ka shpërndarë një komunikatë të Departamentit amerikan të Drejtësisë, ku njoftohet se shtetasi kosovar Ardit Kutleshi, 28 vjeç, e ka pranuar fajësinë për akuzat që lidhen me krijimin dhe operimin e “Rydox”, një faqe interneti dhe treg i paligjshëm ku kriminelët kibernetikë mund të blinin, shisnin dhe shkëmbenin të dhëna personale të vjedhura, si dhe të aksesonin pajisje e mjete për kryerjen e krimeve kibernetike dhe mashtrimeve.
Departamenti amerikan i Drejtësisë njoftoi se faqja e paligjshme ishte përdorur për vjedhjen e të dhënave personale të viktimave në Shtetet e Bashkuara.
“Pranimi i fajësisë nga Ardit Kutleshi për operimin e tregut Rydox ekspozon një skemë të sofistikuar për përfitimin nga identitetet e vjedhura dhe mjetet e krimit kibernetik”, tha ndihmësprokurori i Përgjithshëm A. Tysen Duva i Divizionit Penal të Departamentit të Drejtësisë.
“Ky pranim fajësie u dërgon një mesazh të fortë të gjithë kriminelëve kibernetikë se Departamenti i Drejtësisë do t’i identifikojë, arrestojë dhe ndjekë penalisht kriminelët kibernetikë, pavarësisht se ku ndodhen në botë, përmes bashkëpunimit ndërkombëtar, ekspertizës teknike dhe zbatimit të ligjit me teknologjinë më të avancuar”, thuhet në komunikatë.
Prokurori amerikan për Distriktin Perëndimor të Pensilvanisë, Troy Rivetti, tha se Kutleshi dhe vëllai i tij Jetmiri, i cili ishte deklaruar fajtor dhe ishte dënuar në dhjetor 2025 përpara dëbimit drejt Kosovës, e operuan tregun Rydox për përfitimin e tyre.
“Kriminelët kibernetikë Ardit Kutleshi dhe vëllai i tij Jetmiri – i cili u deklarua fajtor dhe u dënua në dhjetor 2025, përpara dëbimit të tij drejt Kosovës – operuan tregun Rydox për përfitimin e tyre, duke fituar qindra mijëra dollarë nga tregu ku kriminelët kibernetikë mund të blinin informacione dhe mjete për të kryer dhe zgjeruar aktivitetet e tyre kriminale në internet”, tha Rivetti.
“Këto lloj krimesh kibernetike shkaktojnë jo vetëm humbje financiare, por edhe dëme të vazhdueshme psikologjike për viktimat, të cilat humbasin si paratë, ashtu edhe besimin në institucionet dhe infrastrukturën e tregut online. Zyra jonë do të vazhdojë të punojë me partnerët tanë të zbatimit të ligjit për të gjetur dhe ndjekur penalisht individët që përpiqen të përfitojnë nga shpërndarja dhe shitja e paligjshme e të dhënave personale të njerëzve të tjerë dhe pajisjeve të aksesit, si dhe nga krimet kibernetike të lidhura me to”.
Ndihmësdrejtori Brett Leatherman i Divizionit Kibernetik të FBI tha se në Rydox shiteshin mjete për kriminelët kibernetikë dhe të dhëna sensitive.
“Rydox nxirrte në shitje mjete të kriminelëve kibernetikë dhe të dhëna sensitive, përfshirë identitetet dhe të dhënat e hyrjes të vjedhura të mijëra njerëzve”, tha Leatherman.
“FBI-ja dhe partnerët e saj të huaj e mbyllën tregun dhe tani personi që e krijoi dhe e operonte atë u deklarua fajtor. Ne do të vazhdojmë të përdorim çdo mjet ligjor në dispozicion për të ekstraduar kriminelët kibernetikë dhe për të rrëzuar infrastrukturën e tyre”.
Sipas dokumenteve gjyqësore, që prej të paktën vitit 2016, Rydox kreu mbi 7,600 transaksione që përfshinin të dhëna personale identifikuese (PII) të vjedhura, pajisje të vjedhura aksesi, mjete identifikimi, si dhe mjete dhe shërbime për krime kibernetike.
Sipas Departamentit amerikan të Drejtësisë, këto aktivitete gjeneruan të ardhura prej të paktën 232,000 dollarësh.
