Emra, adresa, të dhëna bankare dhe kredenciale llogarish shiteshin në një treg ilegal online të drejtuar nga dy vëllezër nga Kosova. Rydox funksionoi për vite me radhë, duke u ofruar blerësve të dhëna të vjedhura dhe mjete që mund të përdoreshin për mashtrime e krime të tjera në internet.
Dokumentet gjyqësore amerikane, të siguruara nga Radio Evropa e Lirë, tregojnë se si funksiononte ky treg, si e gjurmoi FBI-ja dhe si hetimi çoi te Ardit dhe Jetmir Kutleshi. Të dy vëllezërit e kanë pranuar fajësinë në SHBA. Jetmir Kutleshi është dënuar, ndërsa Arditi pritet ta mësojë masën ndëshkuese në shkurt të vitit 2027.
Në nëntor të vitit 2022, një përdorues i ri hapi llogari në platformën Rydox, ku depozitoi kriptovaluta me vlerë prej 300 dollarësh amerikanë.
Më pas, në këtë uebsajt ilegal, ai bleu rreth 40 paketa, që përmbanin të dhëna të vjedhura personale: emra, adresa, datëlindje, numra të sigurimeve shoqërore dhe të patentë-shoferëve.
Por, blerësi s’ishte përdorues i zakonshëm. Pas tij qëndroi një burim i fshehtë i Byrosë Federale të Hetimit (FBI) të Shteteve të Bashkuara. Mes të dhënave që i siguroi ishin edhe ato të një personi nga Pensilvania, identiteti i të cilit u shit pa dijeninë dhe pa lejen e tij.
Kjo blerje ishte pjesë e hetimit që do t’i çonte autoritetet amerikane te dy vëllezër në Kosovë, Ardit dhe Jetmir Kutleshi, të cilët, sipas prokurorisë, e kishin krijuar dhe e administronin tregun ilegal.
Radio Evropa e Lirë ka siguruar dokumentet gjyqësore amerikane, përfshirë aktakuzën dhe marrëveshjen për pranimin e fajësisë, që përshkruajnë blerjet e fshehta, gjurmimin e pagesave dhe komunikimet mes administratorëve të tregut ilegal. Ato tregojnë se si funksiononte Rydox, dhe se si u lidh shitja e të dhënave të vjedhura me njerëzit që e drejtonin.
Ndonëse hetimi i FBI-së kishte nisur më 2022, Rydox ekzistonte prej vitesh. Sipas aktakuzës, vëllezërit Kutleshi e administronin tregun e paligjshëm të paktën nga shkurti i vitit 2016.
Me një ndërprerje në mes të viteve 2019-2020, platforma ekzistoi deri në fund të 2024-tës, kur edhe pushoi së ekzistuari pas operacionit të autoriteteve amerikane.
Në vitin 2024, ndaj dy vëllezërve u ngrit aktakuzë me gjashtë vepra penale.
Jetmir Kutleshi e pranoi fajësinë për pikën e tretë të aktakuzës – “Konspiracion për transferimin, posedimin ose përdorimin e një mjeti identifikues”.
Ai u dënua më 2025, ndërsa në masën e shpallur iu llogarit koha prej rreth 12 muajsh e mbajtur në paraburgim. Me përfundimin e dënimit, sipas vendimit, ai parashihej të kthehej në Kosovë dhe t’i kufizohej hyrja në SHBA.
Ndërkaq, vëllai i tij, Arditi, e pranoi fajësinë në shtatorin e 2026-tës, për pikën e parë dhe të gjashtë të aktakuzës: “Konspiracion për pastrim parash” dhe “vjedhje e rëndë e identitetit”.
Ai pritet ta mësojë dënimin në fillim të vitit 2027.
Një shtetas i tretë i Kosovës, Shpend Sokoli, u arrestua në Shqipëri si bashkëpunëtor i vëllezërve Kutleshi, dhe, sipas mediave shqiptare, në majin e 2026-tës u dënua në shkallë të parë me 3 vjet e 8 muaj burgim.
Radio Evropa e Lirë tentoi të merrte një koment nga avokati mbrojtës i vëllezërve, si dhe nga vetë Jetmir Kutleshi, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk mori përgjigje.
Si funksiononte Rydox?
Për përdoruesit, hyrja në Rydox niste me një adresë emaili dhe një llogari.
Për t’i blerë produktet, ata duhej fillimisht të depozitonin kriptovaluta. Tregu pranonte kriptovaluta të disa llojeve, duke përfshirë Bitcoin-in.
Paratë kalonin në kuleta digjitale, të kontrolluara nga Rydox, ndërsa përdoruesit mund ta shpenzonin gjendjen e llogarisë për produktet e ofruara.
Në katalog kishte të dhëna kartelash bankare, fjalëkalime, dhe kredenciale për hyrje në llogari emaili, për blerje online, apo për llogari në uebsajte për takime romantike.
Shiteshin edhe faqe mashtruese, mjete për dërgimin e mesazheve të padëshiruara, si dhe udhëzues për veprimtari kriminale në internet.
Paketat që bleu burimi i fshehtë i FBI-së njiheshin si “fullz”. Aktakuza i përshkruan ato si grupe të dhënash identifikuese dhe kredencialesh, që zakonisht përdoren për mashtrime financiare.
