Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në orën 09:30, mbahet seanca fillestare ndaj Fatmir Shehollit, ndaj të cilit Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë për veprat penale “Spiunazh” dhe “Shantazh”.
Rasti ka të bëjë me pretendime serioze të Prokurorisë Speciale për përfshirjen e Shehollit në veprime që, sipas aktakuzës, kanë pasur për qëllim ndërhyrjen në proceset zgjedhor e në Kosovë, bashkëpunimin me një shërbim të huaj informativ dhe ushtrimin e presionit ndaj një biznesmeni.
Sipas aktakuzës, Agjencia për Siguri dhe Inteligjencë e Serbisë – BIA, i kishte dhënë Shehollit 5 mijë euro dhe materiale audio, me qëllim të ndikimit në zgjedhjet lokale te komuniteti serb në Kosovë.
Prokuroria pretendon se, pak ditë para zgjedhjeve lokale të vitit të kaluar, Sheholli kishte marrë materiale që përmbanin biseda audio dhe transkriptime të disa zyrtarëve të lartë të Ministrisë për Komunitete dhe Kthim, të udhëhequr nga Nenad Rashiq.
Sipas aktakuzës, qëllimi ishte që këto materiale të publikoheshin në mediat kosovare për të diskredituar zyrtarët dhe institucionet e Kosovës dhe për të ndikuar në procesin zgjedhor.
Në dokumentin akuzues thuhet se Sheholli ia kishte dorëzuar materialet gazetarit dhe analistit Milaim Zeka, së bashku me shumën prej 1 mijë eurosh, duke e udhëzuar edhe për mënyrën dhe kohën e publikimit të tyre në emisionin “Pa Rrotlla”.
Sipas Prokurorisë, Sheholli i kishte thënë Zekës se materialet i kishte siguruar nga Agjencia Gjermane për Zhvillim – GIZ.
“Top Sekret 2” dhe pretendimet për radikalizimin islamik
Një tjetër element i rëndësishëm i aktakuzës është një fotografi e gjetur në telefonin e Shehollit, me mbishkrimin “Top Sekret 2”.
Sipas Prokurorisë, dokumenti përmban një plan veprimi që synonte krijimin e perceptimit se Kosova është një shtet i radikalizuar dhe ekstremist.
Në aktakuzë pretendohet se dokumenti parashihte mbledhjen e fondeve nga ambasadat islamike në Beograd dhe investimin e tyre në ndërtimin e xhamive në vende të dukshme, ndërsa synimi i deklaruar në dokument, sipas Prokurorisë, ishte krijimi i një atmosfere pasigurie dhe largimi i një pjese të të rinjve nga Kosova.
Prokuroria pretendon se përmes këtij plani synohej edhe ndryshimi i qëndrimit të fuqive perëndimore ndaj Kosovës dhe krijimi i kushteve që vendi të kthehej nën juridiksionin e Serbisë.
“Leptiri” dhe Albin Kurti

