Me shpresën se vendimi i Dhomave të Specializuara në Hagë do të sillte lirimin e katër krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, familjarë dhe mbështetës të tyre e kanë përcjellë ditën e vendimit. Por, për Milazim Thaçin, familjar i ish-presidentit Hashim Thaçi, pritja përfundoi me dhimbje dhe zhgënjim.
Milazim Thaçi në Burojë ka rrëfyer përjetimin e momentit kur u shpall vendimi, duke thënë se familja kishte pritur me shpresë një rezultat tjetër.
“Ne dje me shpresë, ata të katërtit se po lirohen, por nuk na doli ashtu, doli idhnim. Është në zi Kosova e krejt shqiptaria. Ata e kanë ruajtur shtëpinë e tyre, familjen dhe Kosovën, nuk kanë dalë me thënë po shkojmë në Serbi. Po Serbia na ka ardhur këtu, na ka sulmuar, dhunuar, kallur e plaçkitë, të gjitha të zezat na ka bë e sot me dalë ata me u end nëpër Serbi e Evropë e tonë me na dërgu në Hagë, kjo është padrejtësi e madhe. Ajo Evropë, që e ka ndarë tokën shqiptare, ajo është edhe sot, marre ju qoftë atyre gjyqtarëve. Kemi pritur e jemi mërzitur”, tha ai, raporton “Kosovapress”.
Thaçi tha se momenti i shqiptimit të vendimit ishte veçanërisht i rëndë për familjen, ndërsa shpresat tani i ka te procesi i apelit.
“Zoti e di, gati më ka lëshuar shpirti. Në atë moment, më keq më, a beson gogja moti mërzi kështu nuk kam pasur. Këta po japin shpresë në Apel, shpresoj i lirojnë, e vijnë te familja e vet, nana e vet. Halla ratë është, ajo nuk di ende asgjë, më mirë që nuk e di, por në pritje është. Ata jo se janë dënuar, por krejt Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe krejt shqiptarët kudo që janë. Ata kanë qenë çlirimtarë, nuk kanë qenë grabitqarë”, tha ai.
Milazim Thaçi kritikoi institucionet e Kosovës, duke kërkuar angazhim më të madh për ish-krerët e UÇK-së dhe duke bërë thirrje për bashkim.
