Pas viteve ’90, kultura e ryshfetit në Shqipëri u bë një dukuri e zakonshme. Percpetimi ishte që nëse nuk paguan nuk mbaron asnjë punë në administratë, nuk të shërbehet në spitale, apo në institucione të tjera.
Ndonëse vitet e fundit shumë shërbime janë online, të dhënat e fundit të Eurostat treguan se veprat penale të regjistruara për dhënie ryshfeti në Shqipëri për vitin 2024 mbeten të larta në raport me popullsinë.
Sipas Eurostat, në vitin 2024 u regjistruan 261 procedime penale për ryshfet, ose 10.9 procedime për 100 mijë banorë. Me këtë nivel, shqiptarët renditen të dytët në Evropë për dhënie ryshfeti në raport me popullsisë, pas Hungarisë, që ka një rekord prej 39 procedime për 100 mijë banorë.
Hungaria kryeson dukshëm renditjen, me 38.99 procedime për 100 mijë banorë, një nivel shumë më i lartë se të gjitha vendet e tjera. Hungaria është përballur prej vitesh me kritika ndërkombëtare për korrupsionin dhe dobësitë në zbatimin e masave kundër ryshfetit.
OECD ka shprehur shqetësim për nivelin e ulët të zbatimit të ligjit ndaj ryshfetit ndërkombëtar në Hungari dhe për mungesën e progresit në rekomandimet e mëparshme.
Megjithatë, Eurostat thekson se të dhënat për veprat penale të regjistruara nga policia duhet të interpretohen me kujdes, pasi ato ndikohen nga ndryshimet në legjislacion, mënyrat e regjistrimit, praktikat e raportimit dhe intensiteti i zbatimit të ligjit në secilin vend.
Në rastin e Hungarisë, niveli i lartë mund të lidhet edhe me mënyrën se si autoritetet regjistrojnë rastet e ryshfetit dhe me fokusin më të madh të organeve ligjzbatuese te kjo kategori veprash.
Në rastin e Shqipërisë, niveli i lartë i procedimeve për ryshfet lidhet me një kombinim faktorësh: prani të fortë të korrupsionit të vogël në shërbimet publike, kulturë të gjatë informaliteti dhe rritje të fokusit të institucioneve ligjzbatuese te veprat e korrupsionit.
Komisioni Evropian ka theksuar se korrupsioni mbetet një fushë serioze shqetësimi për Shqipërinë, pavarësisht progresit të reformës në drejtësi dhe rolit në rritje të SPAK në hetimin e korrupsionit të nivelit të lartë, shkruan Monitor.
