Eurodeputeti çek, Tomas Zdechovsky nga Partia Popullore Evropiane (EPP), thotë të jetë tronditur nga deklaratat e ministres serbe, Snezhana Paunoviq, në lidhje me spastrimin etnik të Kosovës nga shqiptarët.
Në një intervistë në Klan Kosova, deputeti çek shprehet i bindur se nëse Paunoviq do të vazhdojë të qëndrojë në qeveri, BE-ja do t’i ndërpresë negociatat për anëtarësim me Serbinë.
“Askush që dëshiron të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, nuk mund të përkrahë atë që ajo deklaroi. Dhe ta kujtojmë se çka ka bërë Sllobodan Millosheviqi, ishte qartazi gjenocid ndaj popullit të Kosovës. Nëse kjo ministre do të vazhdojë të mbetet anëtare e qeverisë serbe, jam i sigurt se Bashkimi Evropian nuk do të vazhdojë me komunikimin dhe negocimin që Serbia të hyj në BE”, deklaroi Zdechovsky.
Ndër të tjera, ai thotë se të tronditur nga deklaratat e ministres serbe mbetën edhe shumë kolegë të tij të Parlamentit Evropian.
“Është shumë e nevojshme që të jemi të qartë se nëse dikush që ka këtë opinion dhe qëndron në qeverinë e një vendi demokratik, atëherë diçka nuk shkon këtu dhe ju nuk mund të jeni anëtar i Bashkimit Evropian. BE-ja është klub VIP për vendet demokratike”, theksoi eurodeputeti çek.
