I panevojshëm po konsiderohet veprimi i presidentes Vjosa Osmani për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese për çështjen e emërimit të anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Mosemërimi i anëtarit të dytë të Partisë Demokratike të Kosovës në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve nga presidentja po vlerësohet shkelje kushtetuese nga Instituti i Kosovës për Drejtësi. Sipas kësaj organizate të shoqërisë civile, formula e përfaqësimit të partive shqiptare në KQZ sipas rezultatit zgjedhor të 28 dhjetorit do të duhej të ishte: LVV dy anëtarë, PDK dy anëtarë, si dhe LDK e AAK nga një anëtar.
LVV në Presidencë ka dërguar tre anëtarë, ndërkaq PDK dy, kurse partitë e tjera parlamentare nga një. Për këtë arsye, në kabinetin e Presidencës gjatë ditës thanë për KosovaPress se i janë drejtuar Kushtetueses për shkak se kanë pranuar më shumë propozime nga partitë politike të përfaqësuara në Kuvend sesa parashikohet me Kushtetutë. Për këtë veprim, e para e vendit u akuzua nga Partia Demokratike për shkelje të Kushtetutës dhe demokracisë në Kosovë.
Hulumtuesi në IKD, Naim Jakaj, thotë për KosovaPress se veprimi i presidentes nuk ka qenë i nevojshëm, pasi ekziston tashmë një precedent i Gjykatës Kushtetuese për një çështje të ngjashme gjatë mandatit të ish-presidentit Hashim Thaçi.
Sipas Jakajt, praktika e ndërtuar edhe në vitin 2021 përcakton qartë se nga gjashtë anëtarët e komunitetit shqiptar në KQZ, dy i takojnë Lëvizjes Vetëvendosje, dy Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), një Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe një Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).
“Nuk ka qenë e nevojshme të dërgohet një lëndë e tillë në Gjykatën Kushtetuese, sepse dihet që gjykata në një rast, tek ish-presidenti Thaçi, e ka trajtuar një lëndë të tillë, ku është kërkuar nga presidenti që të merren vendime, sepse dispozitat e Kushtetutës janë të qarta, veçanërisht tek anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Së dyti, kur kihen parasysh këto dispozita që janë të qarta, ajo, në këtë rast presidentja, do të duhej t’i respektojë dhe t’i zbatojë ato me përpikmëri. Si do duhej t’i zbatonte? Situata është kështu. E dimë që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka 11 anëtarë. Njëri anëtar duhet të jetë nga ana e Gjykatës Supreme, ndërkohë gjashtë të emëruarit e tjerë duhet të jenë nga grupet më të mëdha parlamentare. Dhe grupet më të mëdha parlamentare dihet cilat janë: Vetëvendosje, PDK, LDK dhe AAK. Katër nga këta gjashtë, përfshi edhe dy të cilët duhet t’i shkojnë, njëri Lëvizjes Vetëvendosje dhe tjetri PDK-së, sipas praktikës që është ndërtuar edhe në vitin 2021. Pra, presidentja e ka pasur të qartë një situatë të tillë. Ajo do të duhej, është dashur vetëm t’i emërojë të propozuarit që vijnë nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, që janë dy, dhe dy nga radhët e PDK-së… Pra, formula është dy Vetëvendosje, dy PDK, një LDK, një AAK”, thekson ai.
Jakaj vlerëson se dërgimi i çështjes në Kushtetuese mund të jetë një manovër politike që shkakton vonesa dhe pasoja në funksionimin e KQZ-së.
Situata mund të komplikohet më tej nëse çështja nuk zgjidhet deri më 4 prill, kur presidentes Osmani i skadon mandati. Në këtë rast, ushtruesi i detyrës së presidentit, që do të ishte kryeparlamentarja Albulena Haxhiu, e cila është edhe pjesë e LVV-së, do të përballej me të njëjtën sfidë. Sipas hulumtuesit në IKD, një tentativë për të emëruar një anëtar të tretë nga Vetëvendosje do të përbënte shkelje dhe do të përfundonte sërish në Gjykatën Kushtetuese.
