Kryediplomatja e Shqipërisë, Elisa Spiropali, në mesazhin e saj të fundvitit ka uruar shqiptarët e Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Luginës së Preshevës dhe diasporës, duke thënë se janë “ambasadorët më të mirë të vlerave kuqezi.
Ajo ka thënë se viti 2026 do të nisë në Shqipëri me pensione më të larta, paga më të larta, investime rekord dhe rritje ekonomike në një trend përshpejtues.
“Dhe duhet të përfundojë me jetëzimin e plotë të reformave shtetndërtuese, plotësimin e kapitujve, njehsimin e standardeve europiane. Dhe mbi të gjitha, respekt e dinjitet për Shqipërinë e shqiptarët kudo në botë”, ka deklaruar Spiropali.
Video-mesazhi i plotë i Ministres për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali në vigjilje të ndërrimit të viteve:
Të dashur bashkëqytetarë
Mbyllim një vit që solli për Shqipërinë sfida, por edhe lajme shumë të mira. Më i miri nga të cilët, pa dyshim, ishte hapja me sukses e të gjithë grupkapitujve në vetëm 13 muaj.
Shqipëria është sot vendi kandidat që ecën më shpejt dhe më vendosmërisht drejt familjes sonë natyrale evropiane. Dhe vrapi ynë drejt Evropës nuk matet më me “nëse”, por me “kur”!
Megjithatë, më e vështira vjen tani: kur shpejtësinë e hapjes së grupkapitujve duhet t’a njehsojmë me shpejtësinë e reformave shtetndërtuese dhe përmbushjes së të gjithë kushteve.
Prandaj, në 2026-ën, do të vijojmë të udhëheqim me vizion dhe vendosmëri në këtë proces, duke vijuar bashkëpunimin e ngushtë me të gjithë partnerët tanë europianë. Viti që po lëmë pas do të mbahet mend si viti kur u bë realitet premtimi për votën e diasporës.
Por, të drejtat e shqiptarëve as fillojnë dhe as përfundojnë tek kutia.
Me ligjin e ri të diasporës, për herë të parë kemi në dorë një mekanizëm që mbron dhe promovon të drejtat tona, nën një ombrellë të koordinuar nga Tirana, prej Kalifornisë, deri në Australi. Vizitat diplomatike në Itali, Greqi, Maqedoninë e Veriut, Holandë, Kroaci, Danimarkë, Izrael, Irlandën e Veriut, NATO, OKB, etj, si dhe të gjithë partnerët ndërkombëtarë që kemi pritur në Tiranë, kanë dëshmuar se politika jonë e jashtme është sot më aktive, më e besueshme dhe më e respektuar se kurrë më parë.
Në këtë stad të ri zhvillimi ku gjendemi, Viti i Ri na gjen në një nivel të paprecedentë përgjegjësish, por edhe nivelin më të lartë të ambicieve.
