Avokati serb Çedomir Stojkoviq ka reaguar ndaj deklaratave të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, lidhur me mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër, duke e cilësuar këtë si një plan të motivuar nga “hakmarrja” ndaj Kosovës.
Stojkoviq ka pretenduar se deklarata e Vuçiqit është bërë vetëm një ditë pas vizitës së presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, në Serbi.
Sipas tij, Vuçiq po e shfrytëzon afrimin me presidentin ukrainas për të forcuar pozitën e tij përballë Perëndimit dhe për të krijuar hapësirë për vazhdimin e politikave të tij në Ballkan.
“Është e qartë që nga fillimi se bindja e Vuçiqit që Zelensky të vijë në Serbi nuk ishte asgjë tjetër veçse një kamuflazh”, ka shkruar Stojkoviq.
Stojkoviq ka kritikuar veçanërisht idenë për ndryshimin e rrjedhës së Ibrit, duke argumentuar se një veprim i tillë nuk do të prekte vetëm Kosovën, por edhe komunitetin serb që jeton përgjatë këtij lumi.
“Vuçiq me këtë tregon se jeta e serbëve në Kosovë nuk i intereson aspak, por se është i gatshëm t’ua marrë lumin, sepse egoja dhe hakmarrja janë më të rëndësishme për të sesa jeta e këtyre njerëzve”, ka deklaruar ai.
Stojkoviq ka përmendur edhe deklaratën e Vuçiqit se Serbia aktualisht nuk është në gjendje të hyjë në luftë me NATO-n, duke shtuar se kjo, sipas tij, lë të kuptohet për një qasje konfrontuese në të ardhmen.
Avokati serb gjithashtu theksoi se ndryshimi i rrjedhës së Ibrit do të mund të binte ndesh me një sërë rregullash dhe marrëveshjesh ndërkombëtare për përdorimin e ujërave ndërkufitare.



