Mirlinda Qyqalla nga ShSKUK ka dhënë detaje në lidhje me rastin e 5-vjeçarit nga Lipjani, për të cilin ajo tha se nga Lipjani është sjellë në Emergjencën Qendrore, i referuar nga QKMF atje, siç tha, për shkak të plagëve të rënda në të dy shputat e këmbëve, “të shoqëruara me ndryshime të theksuara gangrenoze”.
Qyqalla tha se në momentin e pranimit, fëmija ishte në gjendje të rënduar shëndetësore, me vështirësi në komunikim, si dhe kishte dyshim për kequshqyerje.
“Menjëherë pas pranimit në Emergjencën Qendrore janë realizuar konsultat nga kirurgu plastik dhe pediatri, të cilët kanë rekomanduar hospitalizimin urgjent në Klinikën e Pediatrisë – Repartin e Kujdesit Intensiv Pediatrik, për trajtim dhe monitorim të mëtejmë”, tha ajo.
Duke pasur parasysh dyshimet për keqtrajtim të mundshëm të fëmijës, ajo bëri të ditur se janë njoftuar organet kompetente, përfshirë Policinë dhe shërbimet sociale, në përputhje me procedurat dhe detyrimet ligjore për mbrojtjen e fëmijëve.

