Kryetari i Prishtinës, Perparim Rama, ka reaguar ndaj deklaratave të anëtarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Alban Krasniqi, njëhersh burri i ushtrueses së detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, i cili e ka quajtur Ramën “vrasës”.
Në një reagim publik, Rama tha se “gjuha e urrejtjes dhe linçimit nuk e ndryshon ligjin” dhe akuzoi Lëvizjen Vetëvendosje për përdorim të një diskursi të tillë politik, duke përmendur rastin tragjik të vdekjes së 26-vjeçarit dje në Prishtinë.
“Duke mos i njohur as kompetencat dhe përgjegjësitë institucionale, po tentohet t’i faturohen Kryeqytetit përgjegjësi që sipas ligjit u takojnë institucioneve të nivelit qendror”, ka deklaruar Rama.
Ai theksoi se, sipas legjislacionit në fuqi, verifikimi teknik i vinçave, inspektimi i pajisjeve dhe mbikëqyrja e masave të sigurisë në punë janë kompetencë ekskluzive e Inspektoratit Qendror të Punës, ndërsa Inspektorati i Kryeqytetit ushtron kompetenca vetëm në zbatimin e kushteve të lejes së ndërtimit dhe legjislacionit përkatës.
“Çdo përpjekje për t’ia faturuar Kryeqytetit dhe mua përgjegjësitë që ligji ua ngarkon institucioneve të nivelit qendror tregon se, përveç dashakeqësisë, jeni edhe të padijshëm!”, ka shkruar ai,
