Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave – Jovan Viçentijeviq, Dragisha Viçentijeviq dhe Igor Dimoviq, për sulmin terrorist të 29 nëntorit në kanalin “Ibër-Lepenc”, ku një mjet shpërthyes shkaktoi dëme të rënda në infrastrukturën ujore dhe energjetike.
Sipas aktakuzës, të akuzuarit kanë kryer dëmtimin me mjet shpërthyes të kanalit që furnizon me ujë për nevoja industriale dhe energjetike, duke rrezikuar sigurinë publike dhe funksionimin e rrjetit strategjik të ujit.
Përveç sulmit terrorist, Prokuroria ka ngritur aktakuzë të veçantë ndaj Jovan Viçentijeviqit, i cili dyshohet se ka vepruar si agjent i Shërbimit Informativ Ushtarak të Serbisë (VSA), me gradë koloneli.
Sipas dosjes së Prokurorisë, ai ka mbledhur informacione të klasifikuara për strukturat e sigurisë në Kosovë dhe i ka dorëzuar ato tek zyrtarët serbë përmes takimeve të rregullta në Serbi.
Një nga pikat më të ndjeshme të aktakuzës lidhet me vëzhgimin dhe mbledhjen e të dhënave mbi lëvizjet e ushtarëve amerikanë të KFOR-it, të cilat, sipas Prokurorisë, Viçentijeviq i kishte dokumentuar dhe dërguar te shërbimet serbe, duke rrezikuar drejtpërdrejt trupat e aleatit kryesor të sigurisë së Kosovës.
Prokuroria thotë se Jovan Viçentijeviq ka:
Fotografuar bazën e Njësive Speciale të Policisë në Jasenovik të Zubin Potokut;
