Publicisti Veton Surroi ka reaguar në profilin e tij në ‘facebook’ ndaj deklarimeve të publicistit dhe gazetarit Baton Haxhiu në emisionin “Pressing” në T7, më 12 nëntor, pas botimit të dy librave të tij për kohën e luftës. Surroi deklarimet e Baton Haxhiut në T7 për një vizitë në banesën e nënës së Surroit, Nahire, në vitin 1998, pretendon se janë të pavërteta.
Në reagimin e tij, Surroi ka mohuar se e ka dërguar ndonjëherë Haxhiun në banesën e nënës së tij, duke thënë se edhe rrëfimi për një fotografi të Josip Broz Titos dhe një bisedë të zhvilluar me të ëmën është i trilluar.
“Unë nuk e kam çuar Baton Haxhiun në banesën e nënës sime as më 1998 e as ndonjëherë tjetër. Fotografia e Titos dhe biseda me nënën time janë trillim i tij”, ka shkruar Surroi.
Ai ka kundërshtuar edhe mënyrën se si, sipas tij, Haxhiu është thirrur në emër të familjarëve të tij të vdekur gjatë emisionit, duke theksuar se nuk mund të flasë në emër të njerëzve që nuk janë më gjallë.
Reagimi i plotë i Veton Surroit:
Rreth disa konstatimeve të Baton Haxhiut në emisionin “Pressing” në T7 të 12 nëntorit 2026
• Baton Haxhiu foli për pjesëtarët e vdekur të familjes sime, në mesin e tyre edhe për nënën time Nahire dhe dajën Zenel Kabashi. Sipas tij,unë e kam çuar në drekë në banesën e nënës time në 1998 dhe në të ka parë fotografinë e Titos e më pas ka zhvilluar edhe bisedë me të rreth fotografisë . Unë nuk e kam çuar Baton Haxhiun në banesën e nënës sime as më 1998 e as ndonjë herë tjetër. Fotografia e Titos dhe biseda me nënën time janë trillim i tij, një gjë jo e befasishme për veprimin publik të tij.
• Gjatë bisedës në T7 B.Haxhiu u thirr në emër të fjalëve të afërmëve të mi të vdekur që janë në pamundësi të përgjigjen. Unë nuk mund të citoj fjalët e të vdekurve për B.Haxhiun apo babain e tij. Fazli Haxhiu apo Fazli Qeli, siç njihej, nuk mund të mbrohet në të vdekur nga konstatimet se ka qenë bashkëpunëtor i Shërbimit të Sigurimit i caktuar për mbulimin e aktiviteteve kulturore.
• Unë kam menduar atëherë dhe mendoj sot se Baton Haxhiu nuk është përgjegjës për veprimet e babait apo familjarëve të tij. Baton Haxhiu do të duhej të ishte përgjegjës për veprimet e veta.
• Në vitin 1998 kur thotë se ka qenë në banesën e nënës sime, B.Haxhiu ka pranuar ftesën për bashkëpunim me Zoran Stijoviqin, udhëheqës në Shërbimin e sigurimit shtetëror të Serbisë për Prishtinë, në mënyrë që të hapet një kanal i komunikimit mes shefit të sigurimit shtetëror të Serbisë Jovica Stanishiq dhe Mahmut Bakallit. B.Haxhiu, në bashkëpunim me Z.Stijoviqin, ka koordinuar takimet e përfaqësuesve të Sigurimit shtetëror të Serbisë me Mahmut Bakallin në banesën e z.Bakalli në Prishtinë dhe në hotelin e Sigurimit shtetëror në Brezovicë.
• Në gjykimin e Sllobodan Millosheviqit në Hagë , gjatë dëshmive të M.Bakallit dhe pyetjeve të S.Millosheviqit, roli i B.Haxhiut nuk doli të jetë ai i bashkëbiseduesit të J.Stanishiqit, siç pretendon në deklarata të ndryshme. Gjatë bisedës kokë më kokë mes J.Stanishiqit dhe M.Bakallit, B.Haxhiu ka qenë në katin e poshtëm së bashku me operativët e Sigurimit shtetëror të Serbisë.
• Më 2005 Ministria e brendshme e Shqipërisë refuzoi pëlqimin për dhënien e shtetësisë B.Haxhiut. Dokumenti mbi te cilin MB vendosi refuzimin ishte i një natyre sekrete, që nënkupton marrëdhënie të një natyre të papërshtatshme me nje sherbim inteligjent jomiqësor me Shqipërinë. Refuzimi i M. të Brendshëm u tejkalua me të drejtën diskrecionale të Presidentit , pas një fushatë mediale të udhëhequr nga TV Klan.
• Gjatë emisionit B.Haxhiu paska elaboruar për tërë familjen time amnore, nga gjyshi im Xhemal Kabashi, te fëmijët e tij dhe dhëndurët. Përgjatë shekullit XX , Xhemal Kabashi, fëmijët dhe dhëndurët, me bindje të ndryshme e të kundërta politike, kanë formësuar shtetin e Kosovës. Krenohem me të gjithë dhe me secilin veç e veç; krenaria ime nuk pretendon t’u marrë meritat, ato janë krejtësisht tyret.
Baton Haxhiu në një prej kapitujve të librit të tij të titulluar “Dollmat nën fotografinë e Titos” rrëfen një episod nga pranvera e vitit 1998, në kohën kur lufta në Kosovë po intensifikohej dhe UÇK-ja po zgjerohej në disa zona të vendit.
Ai përshkruan atmosferën e asaj kohe, duke vënë përballë zhvillimet e luftës në terren dhe jetën e përditshme në Prishtinë. Në këtë kontekst, Haxhiu tregon se një ditë Veton Surroi e kishte ftuar për drekë në banesën e nënës së tij, Nahire, në afërsi të Shtëpisë së Rinisë në Prishtinë.
Haxhiu në këtë pjesë të librit të tij tregon edhe për bisedën me nënën e Baton Haxhitu sa i përket një fotografie të madhe të Josip Broz Titos në murin e banesës.
“Por këtu nuk ishim në ndonjë zyrë të Komitetit Krahinor. Ishim në vitin 1998. Në Kosovë kishte filluar lufta. Jugosllavia që Tito kishte krijuar ishte copëtuar në luftëra, Sllovenia ishte larguar, Kroacia kishte kaluar nëpër luftë, Bosnja ishte mbushur me varre, ndërsa tani Serbia po përdorte polici, autoblinda dhe armë të rënda kundër shqiptarëve të Kosovës. Dhe Tito vazhdonte të rrinte në mur”, shkruan Haxhiu në librin e tij “Brenda Luftës”
Pjesa e plotë e kapitullit të librit për fotografinë e Titos
“DOLLMAT NËN FOTOGRAFINË E TITOS“
Ishte pranvera e vitit 1998 dhe Kosova po ndryshonte aq shpejt sa nganjëherë dukej sikur brenda një dite jetoje në dy kohë të ndryshme.
Jasharajt ishin varrosur. Në Drenicë e në Llapushë njerëzit po merrnin armët. Në Malishevë kisha parë një kolonë ushtarësh që nuk ia shihje fundin, fëmijë që thërrisnin emrin e Komandant Çelikut dhe burra që kishin ardhur për një varrim e kishin hyrë në rreshtin e UÇK-së sikur vendimin për luftë ta kishin marrë pikërisht aty.
Në Prishtinë, ndërkohë, vazhdonim të bënim edhe gjërat më të zakonshme të jetës. Shkonim në redaksi, pinim kafe, grindeshim për titujt, prisnim diplomatët që tashmë e kishin bërë Kohën Ditore pothuajse zyrën e tyre të dytë dhe ndonjëherë shkonim edhe për drekë.
Një ditë Vetoni më tha se do të hanim te nëna e tij, zonja Naire. Ishte një ndërtesë e vjetër afër Shtëpisë së Rinisë. Ecëm deri atje duke folur, natyrisht, për luftën. Në atë kohë nuk kishte më bisedë që fillonte me futbollin, librat apo ndonjë lajm të zakonshëm dhe që pas pesë minutash të mos përfundonte te UÇK-ja, Serbia, Rugova, amerikanët ose pyetja se sa gjatë mund të vazhdonte e gjithë kjo.
Hymë në shtëpi. Gjithçka ishte krejt normale. Zonja Naire na priti me atë mikpritjen që e bën një mysafir të ndihet sikur kishte ardhur në shtëpinë e vet. Më dha ujë. Nga kuzhina vinte era e ushqimit. Dollmat me fletë rrrushi ishin gati.
Pastaj hapa derën e kuzhinës dhe mëbeta në vend. Në mur ishte Tito. Jo ndonjë fotografi e vogël, e harruar në ndonjë qoshe. Një Tito i madh, pothuajse sa muri. Më shikonte drejt nga fotografia me atë pozën e njohur që për dekada kishte qëndruar në shkolla, zyra komunale, institucione, salla mbledhjesh dhe vende ku të gjithë duhej ta shihnin, edhe kur askush nuk kishte dëshirë ta shihte. Por këtu nuk ishim në ndonjë zyrë të Komitetit Krahinor. Ishim në vitin 1998. Në Kosovë kishte filluar lufta. Jugosllavia që Tito kishte krijuar ishte copëtuar në luftëra, Sllovenia ishte larguar, Kroacia kishte kaluar nëpër luftë, Bosnja ishte mbushur me varre, ndërsa tani Serbia po përdorte polici, autoblinda dhe armë të rënda kundër shqiptarëve të Kosovës. Dhe Tito vazhdonte të rrinte në mur.
Kishte edhe një ironi tjetër që në atë çast më dukej pothuajse tepër e bukur për t’u shpikur. Vetonin, shumë prej shokëve të tij e thërrisnin Tito, ose Tille. Ishte një nofkë që nuk kishte lindur vetëm nga shakaja. Kishte diçka nga mënyra si ecte, si vendoste, si e mbante autoritetin rreth vetes, sikur edhe mes miqve i takonte natyrshëm një pozitë pak më lart se të tjerët. Nuk e di nëse ai e pëlqente gjithmonë atë nofkë, por ajo i kishte mbetur si një lloj titulli jozyrtar.
Dhe tani “Titoja” ynë ishte ulur për drekë nën Titon e vërtetë. Historia, kur do, e shkruan satirën shumë më mirë se gazetarët.
Vetoni nuk tha asgjë. E adhuronte nënën e tij. Këtë e shihja gjithmonë. Madje ndonjëherë e kisha zili për mënyrën si sillej me të. Kishte një respekt pothuajse fëmijëror që nuk ia ndryshonte as politika, as mosha, as karakteri i tij i vështirë.
Në atë shtëpi, njeriu që jashtë saj mund të përplasej me këdo, përballë nënës e humbiste dëshirën për të fituar debate. Dhe ndoshta kjo është një nga format më të mira të pjekurisë: të dish para kujt nuk ke nevojë të fitosh.
U ula. Zonja Naire na solli dollmat. Hëngra një, pastaj një tjetër. Tito vazhdonte të më shikonte. Nuk durova. “Teze Naire, çfarë po të duhet ajo foto e Titos kaq e madhe në mur? Kjo është një kohë tjetër. Jemi në luftë.”
Më pa sikur pyetja ime të ishte shumë më e çuditshme sesa fotografia.
“Pse, djali im?” Pastaj tha me një qetësi të plotë: “Çka të keqe? Gjithçka që kam në jetë ma ka dhënë ky njeri. Shkollimin, punën, jetën e mirë. Çka më ka dhënë dikush tjetër?”
Nuk më kujtohet të kem pasur ndonjëherë përgjigje më të vështirë për një pyetje kaq të thjeshtë.
Sepse ajo nuk po fliste për Titon që njihja unë nga historia politike, po fliste për jetën e saj, për mundësinë që një grua shqiptare e brezit të saj të dilte nga një botë patriarkale dhe të hynte në një jetë tjetër.
Nuk mund t’i thosha se ajo që kishte jetuar nuk kishte ekzistuar, por as unë nuk mund ta shihja atë fotografi pa menduar për atë që kishte ardhur pas saj.
Kjo ishte ndoshta tragjedia më e çuditshme e Jugosllavisë. Secili e mbante mend një Jugosllavi tjetër. Njëri mbante mend shkollimin, tjetri burgun. Njëri punën, tjetri dosjen e UDB-së. Njëri pasaportën me të cilën udhëtonte nëpër Evropë, tjetri babanë që nuk ishte kthyer nga burgu. Dhe të gjithë kishin jetuar nën fotografinë e të njëjtit njeri.
Shtetet autoritare kanë një aftësi të çuditshme: mund t’i japin një njeriu shkollë dhe t’ia marrin tjetrit lirinë, mund ta punësojnë njërin dhe ta burgosin vëllanë e tij, mund ta bëjnë një familje mirënjohëse dhe të njëjtën familje armike të sistemit. Pastaj, shumë vjet më vonë, historianët kërkojnë nga këta njerëz të përgjigjen thjesht nëse ajo kohë ishte e mirë apo e keqe.
Njerëzit nuk jetojnë kaq thjesht. Ideologjitë po.
Nuk debatova me zonjën Naire. Mora edhe një dollmë. Nganjëherë është më e mençur të hash sesa të përpiqesh ta bindësh një njeri se kujtesa e tij është e gabuar.
Por fotografia e Titos më kishte hapur një histori tjetër. Historia e asaj familjeje ishte shumë më e ndërlikuar sesa mund të kuptohej duke parë një fotografi në mur.
Gjyshi i Vetonit nga nëna, Xhemajl Efendi Kabashi, kishte qenë krejt e kundërta e botës që përfaqësonte Titoja. Nacionalist shqiptar, njeriu i Lidhjes së Dytë të Prizrenit. Një prej atyre burrave që fundin e Luftës së Dytë Botërore nuk e kishin parë si çlirim, por si rikthim të Serbisë në Kosovë nën një flamur tjetër.
Djali i axhës sime, Nexhmedini, që vinte nga tradita e NDSH-së dhe që e kishte humbur babanë, Hajdinin, në përplasjet me serbët, më kishte treguar shumë herë për Xhemajl Efendiun dhe për të birin e tij, Zenel Kabashin. Në familjet tona këto histori nuk mësoheshin nga librat. Kalonin nga oda në odë dhe nga një brez te tjetri, të përziera me detaje që vetëm familjet i ruajnë.
Kur komunistët po merrnin pushtetin, Xhemajl Efendiu e kishte kuptuar se gjërat nuk po shkonin në anën e tij.
Gjermania po humbte luftën, partizanët po fitonin.
Dhe në atë pjesë të historisë ku fituesit tashmë e dinë se do të jenë fitues, drejtësia zakonisht fillon të ketë shumë pak durim për nuancat.
Për nacionalistët shqiptarë nuk bëhej më fjalë vetëm për humbje politike, bëhej fjalë për jetën.
Shumë nga njerëzit me të cilët kishte vepruar po përfundonin të vrarë ose në burg. Të tjerët prisnin radhën. Në një moment të tillë Xhemajl Efendiu duhej të merrte një vendim që, në kohë paqeje, mund të quhet oportunizëm, tradhti, kompromis apo dobësi.
Por si quhet një vendim kur përballë ke pushkatimin?
Sa vlen ideologjike kur pranë teje qëndron djali yt dhe ti e di se mund ta vrasin bashkë me ty? A ka njeriu të drejtë ta ndryshojë fatin e vajzës së vet për të shptuar birin? A ka të drejtë të hyjë në krushqi me pushtetin që urren vetëm që familja të mbijetojë? Dhe, nëse e bën, çfarë i mbetet prej krenarisë së mëparshme?
Këto pyetje janë të lehta kur bëhen shtatëdhjetë vjet më vonë, në një dhomë të sigurt, janë shumë më të vështira kur jashtë dhomës mund të jenë njerëz që kanë ardhur për të të marrë.
Xhemajl Efendiu zgjodhi jetën. Jo vetëm të vetën, edhe atë të birit, Zenelit. E prishi fejesën e vajzës së tij, Vahides, me nacionalistin Xhemaj Mucaj Efendinë dhe e fejoi me Fadil Hoxhën, njeriun që po hynte në radhët e pushtetit të ri komunist.
Ajo krushqi u bë mburojë. Xhemajl Efendiu dhe Zeneli shpëtuan nga pushkatimi, ndërsa shumë nga shokët e tyre nacionalistë përfunduan në varret e Jugosllavisë së re. Ky është një nga ato caste ku politika humbet madhështinë e fjalëve dhe zbret në nivelin e mishit njerëzor.
