Prokuroria e Prizrenit ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit për kolonelin Nexhmi Krasniqin dhe tre të tjerët për veprën penale “Detyrimi” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” si dhe “Shmangia nga tatimi”.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, katër të dyshuarit me qëllim të përfitimit, gjatë periudhës nëntor-dhjetor të vitit 2024, kanë përdorur kanosje serioze ndaj viktimës E.M në dëm të pasurisë së këtij të fundit.
Tutje thuhet se i dëmtuari E.M nga frika dhe presioni shet parcelën e cila ka vlerën e gjysmë milioni euro, me çmim prej 250 euro, e blerë nga i dyshuari R.P.
Prokuroria e Prizrenit kërkon paraburgim për katër të arrestuarit për detyrim, shmangie nga tatimi dhe armëmbajtje pa leje
Prizren, 06 Gusht 2025 – Prokuroria Themelore në Prizren, njofton opinionin publik se ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prizren, caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh, ndaj të pandehurve L.S., Xh.S., N.K., dhe R.P., për shkak të dyshimit të bazuar se të njëjtit kanë kryer veprën penale “Detyrimi”, nga neni 328 par. 2 lidhur me par. 1, po ashtu të pandehurit L.S., N.K., dhe R.P., kanë kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, neni 366, po ashtu R.P., ka kryer veprën penale “Shmangia nga tatimi” nga neni 307 par. 1 të sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Sipas kërkesës së prokurorisë, të pandehurit L.S., Xh.S., N.K., dhe R.P., gjatë muajve nëntor – dhjetor të vitit 2024 në Prizren, duke vepruar si anëtarë të grupit me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, përdorin kanosjen serioze për të detyruar të dëmtuarin E.M., të veprojë në dëm të pasurisë së tij, në atë mënyrë që pasi i dëmtuari ka pasur një pjesë të pronësisë në ngastrën kadastrale në ZK Lubizhdë, i pandehuri L.S., në vazhdimësi kontakton me të dëmtuarin, e më pas ndërhynë edhe vëllai i tij Xh.S., duke kërkuar në vazhdimësi takim lidhur me këtë ngastër, dhe pasi takohen në njërën prej pompave të derivateve në rrugën “Transiti i ri”, ku aty ishin L.S., Xh.S., N.K., dëshmitari E.E., dhe i dëmtuari, të pandehurit duke i bërë presion këtu të dëmtuarit që si pronarë i ngastrës në ZK Lubizhdë të tërhiqet nga kjo parcelë, në dobi të të pandehurit R.P., e që i dëmtuari nga frika dhe presioni, dhe me miratimin e dëshmitarit E.E., si pronarë i pjesës të kësaj ngastre vendosin të tërhiqen në dobi të R.P., i cili më pas e blenë këtë parcelë nën çmimin e tregut për 250,000 euro, e cila pronë realisht kishte vlerë prej 400.000 euro deri 500.0000 euro, e për këtë i dëmtuari së bashku me të pandehurin L.S., shkojnë në shtëpinë e të pandehurit N.K., ku i dëmtuari hynë në shtëpi dhe nga të hollat e marra prej R.P., ia jep të pandehurit N.K., shumën prej 10,000 euro të vendosura në zarf dhe me të dalë nga aty, 20,000 euro tjera ia jep L.S., në emër të tij dhe për vëllain e tij Xh.S.