Rasti i Millan Vukashinoviqit nga Leposaviqi, për të cilin autoritetet e Kosovës dyshojnë se u plagos dhe u rrëmbye nga Xhandarmëria serbe, vazhdon të shkaktojë spekulime në publik, pasi autoritetet serbe nuk dhanë asnjë deklaratë – edhe dhjetë ditë pas incidentit.
Ngjarja ndodhi në një pikëkalim të paregjistruar me Serbinë, në fshatin Jellakcë, në veri të Kosovës.
Publiku, fillimisht, u njoftua nga avokati Ivan Niniq, i cili e përfaqëson familjen Vukashinoviq.
Ai shprehu dyshime se në këtë rast mund të jetë e përfshirë edhe Ushtria e Serbisë.
Në Prokurorinë e Lartë në Prokuple të Serbisë, ai dorëzoi kallëzim penal për vrasje të rëndë në tentativë kundër pjesëtarëve të panjohur të Ushtrisë së Serbisë ose Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, si dhe kundër Millan Radoiçiqit, ish-nënkryetar i Listës Serbe.
Në vitin 2023, Radoiçiq e mori përgjegjësinë për sulmin e armatosur në Banjskë, në veri të Kosovës, ku u vra një polic kosovar. Në përleshjet e armatosura që pasuan, u vranë edhe tre sulmues serbë.
Në kallëzimin penal, avokati Niniq tha se Millan Vukashinoviq kishte “traditë të gjatë të konfliktit personal me Millan Radoiçiqin” dhe se ekzistonin “arsye të justifikuara që i dëmtuari të rrëmbehej dhe të lihej pa jetë në rrethana të paqarta”.
Prokuroria e Lartë në Prokuple nuk dha asnjë deklaratë për këtë rast dhe nuk iu përgjigj as pyetjeve të Radios Evropa e Lirë në lidhje me të.
Çfarë i ndodhi Vukashinoviqit më 1 nëntor?
Avokati Ivan Niniq i tha më herët Radios Evropa e Lirë se më 1 nëntor, Millan Vukashinoviq nga Leposaviqi u drejtua drejt pikëkalimit në fshatin Jellakcë, ku kishte planifikuar të takohej me një mik, i cili është anëtar aktiv i Ushtrisë së Serbisë, por nuk u kthye më në shtëpi.
Niniq tha se dyshon se Vukashinoviq, në këtë mënyrë, u “tërhoq”, në kuadër të një operacioni më të gjerë të organeve serbe të sigurisë.
Vukashinoviq i telefonoi nënës së tij, Dragana Vukashinoviq, nga një autoambulancë, për t’i thënë se ishte i plagosur.
Sipas informacioneve të Niniqit, në incident morën pjesë persona të maskuar, me uniforma pa shenja identifikuese dhe me automjete pa targa, ndërsa Vukashinoviq u dërgua fillimisht në spitalin e Prokuples dhe më pas në Nish, ku i u hoq një veshkë dhe mbeti në gjendje të rëndë.
Kush po e heton rastin?
Zyra e Prokurorit në Mitrovicë i tha Radios Evropa e Lirë se një person i afërt me Vukashinoviqin është marrë në pyetje dhe se rasti po hetohet në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, por se, në këtë fazë të hetimit, nuk mund të zbulohen më shumë detaje.
Avokati Niniq, ndërkohë, postoi në X një fotografi të një makine ‘Lada Niva’ të shkatërruar dhe pretendoi se i përkiste Vukashinoviqit.
Ai i bëri thirrje misionit për sundim të ligjit në Kosovë, EULEX, dhe misionit paqeruajtës të NATO-s, KFOR, që të reagojnë.
Radio Evropa e Lirë kontaktoi EULEX-in dhe KFOR-in për t’i pyetur nëse ishin të informuar për detajet e hetimit për këtë rast.
Përgjigje mori vetëm nga KFOR-i, i cili është përgjegjës për zonën kufitare. Aty thuhet se Policia e Kosovës ka nisur një hetim dhe se po punon ngushtë me disa subjekte, përfshirë KFOR-in.
“Policia e Kosovës i ka koordinuar aktivitetet e saj në anën e Kosovës të vijës kufitare administrative me KFOR-in”, thuhet në përgjigje, ku, po ashtu, theksohet se situata në pikat kufitare Kosovë-Serbi është e qetë.
Policia e Kosovës e informoi publikun për rastin Vukashinoviq më 3 nëntor, duke deklaruar se dëshmitarë okularë janë marrë në pyetje dhe se prej tyre është marrë informacioni se “persona të maskuar kanë hyrë në territorin e Kosovës, kanë plagosur dhe rrëmbyer viktimën dhe më pas e kanë çuar në territorin e Serbisë”.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, përsëriti më 11 nëntor se rrëmbimi i dyshuar i qytetarit të Kosovës nga Xhandarmëria serbe është “një provokim i rëndë”.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha më herët se sulmet e Serbisë kanë për qëllim disiplinimin e serbëve.
Pse hesht Serbia?
Dushan Janjiq, nga Forumi i Beogradit për Marrëdhënie Etnike, vlerëson se shteti serb është “ngatërruar” në punët që kryen me grupe paraushtarake ose paramilitare që “po marrin kontrollin”.
“Ata (autoritetet serbe) do të gjejnë dikë për të akuzuar… Shumë njerëz janë akuzuar për spiunazh ose terrorizëm në Serbi. Kjo është një mantër dhe askush nuk beson më në të”, thotë Janjiq për Radion Evropa e Lirë.
Sipas vlerësimit të tij, problem shumë më i madh për Serbinë është se “para-grupe” të ndryshme po rriten dhe se autoritetet e sigurisë nuk mund t’i kontrollojnë ato.
Serbia, më herët, ka akuzuar disa serbë për spiunazh për Kosovën, ndërsa në Kosovë janë duke u zhvilluar disa procese gjyqësore për spiunazh në favor të shërbimeve sekrete serbe.
Akuzat e spiunazhit prapa skenave
Tabloidet serbe, si “Kurir”, raportuan në fund të javës së kaluar se Agjencia për Siguri dhe Informacion e Serbisë (BIA) ka arrestuar në rajonin e Rashkës “spiunë”, që dyshohet se u kanë transmetuar informacione shërbimeve sekrete të Kosovës.
