Procesi i numërimit të votave në Mitrovicë është ndalur pas ndërhyrjes së Prokurorisë, ndërkohë që zyrtarë të partive opozitare kanë ngritur dyshime serioze për manipulime zgjedhore dhe trafikim të fletëvotimeve.
Kryetari i Aleancës Kosova e Re në Mitrovicë, Gjergj Beka, ka deklaruar për Paparacin se në disa qendra votimi janë vërejtur mospërputhje mes fletëvotimeve dhe vendvotimeve ku kanë votuar qytetarët, duke e krahasuar këtë me fenomenin e njohur si “treni bullgar”.
“Treni bullgar apo i ashtuquajtur treni qeveritar siç duket po vërtetohet që ka ndodhur në qytetin e Mitrovicës ku fletëvotimet nuk po përputhen në vendin se se ku kanë votuar votuesit. Kjo është vërejtur në numrin serik të cilin e kanë fletëvotimet”, tha Beka.
Beka thotë se deri në këto momente, janë hasur 20 vota, ndërkohë që paralajmëron se ky numër pritet të rritet.
“Për momentin janë duke u rinumëruar gjitha votat në qytetin e Mitrovicës dhe për momentin janë rreth 20 vota. Sigurisht pritet të ketë rritje të këtyre votave”, deklaroi ai.
