Kalo te përmbajtja
Demos
Keni lajm?
  • Çka ka 3?
  • Lajme
  • Ndërkombëtare
  • Sport
  • Video
  • Magazine
  • Teknologji
  • Stil
  • Këndvështrime
Menyja
  • Ballina
  • Çka ka 3?
  • Lajme
  • Ndërkombëtare
  • Sport
  • Video
  • Magazine
  • Teknologji
  • Stil
  • Këndvështrime
Pamja
Demos

Gazeta Demos ngadalë por sigurt, po bëhet burim i besueshëm i informacionit, i hapur ndaj opinionit publik, duke i trajtuar të gjithë të barabartë. Gazeta Demos është shenjë identifikuese e fjalës së lirë, gjithnjë në frymën e demokracisë prej nga buron edhe emri i saj.

Rubrikat

VideoLajmeNdërkombëtareSportMagazineTeknologjiStilKëndvështrime

Demos

Rreth neshPolitika editorialeKontaktPrivatësiaKeni lajm?
Gazeta Demos SH.P.KRr. “Uran Ajeti”, 68, Prishtinëinfo@gazetademos.commarketing@gazetademos.comTel: +383 48 579 555
© 2026 Demos. Të gjitha të drejtat e rezervuara.
Lajme

Dy orët e Hashim Thaçit në Speciale, dënim i rëndë dhe ‘OK’, retrospeksion për jetën, luftën për liri dhe politikën e tij

GD
Gazeta Demos17 shtator 2026 në 17:24
Dy orët e Hashim Thaçit në Speciale, dënim i rëndë dhe ‘OK’, retrospeksion për jetën, luftën për liri dhe politikën e tij

Pas gati gjashtë vjetësh në paraburgim, pas një procesi të stërzgjatur gjyqësor dhe tre vjetësh seancash që dukeshin si të pafundme, ish-presidenti i Kosovës u ngrit në këmbë, kopsiti xhaketën dhe dëgjoi dënimin e rëndë që po i shqiptohej: 25 vjet burgim për krime lufte gjatë kohës për të cilën ai thotë se ndjehet më së shumti krenar. “OK”, tha – e tundi kokën dhe u ul.

Hashim Thaçi e dinte se po dënohej, kur kryetari i Trupit Gjykues i një gjykate speciale, për themelimin e së cilës ishte përkushtuar edhe vetë, po rendiste konstatimet e tij dhe të kolegëve të tij gjyqtarë, paraditen e së mërkurës.

Pas gati gjashtë vjetësh në paraburgim, pas një procesi të stërzgjatur gjyqësor dhe tre vjetësh seancash që dukeshin si të pafundme, ish-presidenti i Kosovës u ngrit në këmbë, kopsiti xhaketën dhe dëgjoi dënimin e rëndë që po i shqiptohej: 25 vjet burgim për krime lufte gjatë kohës për të cilën ai thotë se ndjehet më së shumti krenar. “OK”, tha – e tundi kokën dhe u ul përsëri.

Ndërsa po shihte drejt kryegjykatësit Charles Smith me sytë me rathë të zinj poshtë tyre, ndoshta ndiente mbi vete vështrimin e historisë. “Gjatë gjithë jetës” – thoshte ai në deklaratën e tij përfundimtare në këtë proces gjyqësor në shkurt – “kam qenë krah popullit të Kosovës”.

Jashtë gjykatës në Hagë dhe në sheshin kryesor të Prishtinës, ku ishin mbledhur qindra njerëz për ta pritur vendimin, Thaçi mbeti hero dhe simbol i luftës së përgjkshme për pavarësinë e vendit. Turma heshti për një moment për të dëgjuar se ai po dënohej me 25 vjet burgim për krime lufte dhe u trondit nga vendimi që shpresonin se do ta kthente në Kosovë ish-drejtorin politik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Disa qanë e u revoltuan.

Lajmi u dha në të gjitha mediat e mëdha ndërkombëtare. “Thaçi, nga ‘George Washingtoni i Kosovës’, te i dënuar në Hagë”, e titulloi lajmin France24.

Edhe tre ish-bashkëdrejtuesit e tjerë të UÇK-së me Thaçin, u shpallën fajtorë dhe u dënuan gjithashtu. Kadri Veseli me 18, Rexhep Selimi me 13 dhe Jakup Krasniqi me 25 vjet burgim.

Për Thaçin, dhe sigurisht jo vetëm për të, dita e djeshme ishte e rëndë dhe me siguri do të ketë qenë një ditë reflektimi për atë që kaloi gjatë jetës ish-udhëheqësi i luftës guerile të UÇK-së dhe njeriu që pas saj do të mbërrinte deri në krye të vendit të cilin po ai do ta shpallte të pavarur më 17 shkurt 2008.

Thaçi, tani 58 vjeç, ishte president i vendit më 5 nëntor 2020, kur Specialja konfirmoi aktakuzën ndaj tij. Atë ditë ai thirri një konferencë për media dhe njoftoi se po jepte dorëheqje.

“Nuk mund të shkoj në Hagë si president i Kosovës”, tha, duke e konsideruar këtë betejë gjyqësore si “çmimi i vogël i radhës që kërkohet të paguhet për lirinë e vendit tonë”.

Aty gjeti rastin e fundit që nga Kosova të thoshte “jam me fat që jam gjallë dhe e kam parë me sytë e mi ëndrrën tonë shekullore të bëhet realitet” dhe se është krenar që ishte pjesë e UÇK-së. Këtë e tha disa herë edhe në Gjykatën Speciale.

“Kjo nuk është lamtumirë, por vetëm mirupafshim. Do të shihemi prapë. Do të dalim faqebardhë. Ky është premtimi im për ju. Zoti e bekoftë Kosovën, popullin e saj dhe miqtë tanë”, thoshte Thaçi nga Prishtina, pak para se të nisej për në paraburgim në Hagë.

Hashim Thaçi lindi më 24 prill 1968 në Burojë, një fshat të Drenicës, rajonit që historikisht ishte më rezistenti ndaj Serbisë; në atë rajon ku kishte nisur lufta e fundit që pa si epilog çlirimin dhe shtetin e pavarur të Kosovës.

Viti kur lindi Thaçi, ishte vit i demonstratave studentore në Europë. Në Kosovë, kërkesat e studentëve ishin më ndryshe, kishin theks të fortë politik. Shqiptarët kërkonin statusin e një republike federale për Kosovën në Jugosllavi, krijimin e universitetit të saj, krijimin e një policie të pavarur të Kosovës, gjykatë të vetën, përdorimin e simboleve shqiptare, e të tjera.

Rreth dy vjet pas lindjes së Thaçit u krijua Universiteti i Prishtinës, ku ai pasi të rritej do të studionte filozofinë dhe historinë.

Studenti që dukej pakëz i ndrojtur, u bë problematik për regjimin serb të kohës që do të mundohej shumë ta arrestonte. U largua për në Zvicër, por jo për shumë gjatë. Në Cyrih nisi t’i ndiqte studimet pasuniversitare në departamentet e historisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare.

Bashkimi me grupin e emigrantëve politikë shqiptarë atje e karakterizoi jetën e Thaçit në fund të viteve ’80 dhe në fillim të viteve ’90. Atje lindi edhe angazhimi i tij politik në LPK, lëvizjen më radikale të rezistencës kosovare, e cila do ta formonte UÇK-në më vonë.

Thaçi ishte i ngarkuari i Lëvizjes Popullore të Kosovës për krijimin e lidhjeve me grupet e armatosura shqiptare që vepronin asokohe në Drenicë, e që udhëhiqeshin prej Adem Jasharit. Detyrën e kryente duke hyrë disa herë ilegalisht në Kosovë. Drenica e Thaçit do të bëhej vendlindja e UÇK-së. Ai do t’i shtonte hyrje-daljet në përpjekjen për t’i forcuar formacionet e ushtrisë në terren.

Kjo do ta bënte atë target të policisë serbe fillimisht dhe ushtrisë serbe më pas.

Nga përpjekja për të studiuar në Kosovë e Zvicër, Thaçi do ta shihte veten të kthyer në vendlindje, të armatosur dhe duke marrë pjesë në një nga aksionet më të njohura të UÇK-së ndaj forcave policore serbe, së bashku me Adem Jasharin e të tjerë. Në vitin 1997, pak para se UÇK-ja të dilte publikisht, ata do ta sulmonin stacionin policor të Drenasit. Për këtë, Gjykata e Qarkut në Prishtinë, e drejtuar nga regjimi serb, do ta dënonte Hashim Thaçin me 10 vjet burgim, vendim të cilin ai do ta shpërfillte edhe me luftë. Adem Jashari, për të njëjtin sulm ishte dënuar me 20 vjet burgim në mungesë.

Adem Jashari u vra disa muaj më pas, ndërsa Hashim Thaçi vazhdoi t’i prijë luftës. Shërbente si udhëheqës politik i UÇK-së deri në përfundim të saj. Në luftë e kishte nofkën “Gjarpri” për shkak të aftësisë së tij për t’iu shmangur arrestimit nga policia dhe ushtria serbe.

Roli i tij në luftë e bëri Thaçin faktor të rëndësishëm edhe në Rambuje të Francës gjatë konferencës ndërkombëtare për Kosovën ku diskutohej për një plan paqeje. E udhëhoqi delegacionin e Kosovës në diskutimet të cilat u mbyllën pas nënshkrimit të palës shqiptare, i cili u pasua nga intervenimi ushtarak i NATO-s që i dha fund luftës më 1999.

Thaçi shërbeu edhe si kreu i një qeverie të përkohshme në fund dhe menjëherë pas luftës në vitin 1999. Në këtë detyrë, pas luftës ai udhëhoqi negociatat me ndërkombëtarët dhe nënshkroi marrëveshjen që Ushtria Çlirimtare e Kosovës të transformohej në Trupat Mbrojtëse të Kosovës.

Pati përplasje me përfaqësuesit ndërkombëtarë, ndërkohë që paraqitej si unifikues i vërtetë i UÇK-së. Në momentin e fundit, ai mori koncesionet e nga Bernard Kouchner, administrator i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), ashtu si nga gjenerali Michael Jackson, komandant i KFOR-it, për ta miratuar krijimin e TMK-së. Vetë emri i kësaj strukture, sigurisht civile por shumë hierarkike, ishte objekt diskutimesh të ashpra, ku perëndimorët ishin shfaqur jashtëzakonisht hezitues për ta pranuar termin “mbrojtje”, i cili asocionte në një forcë ushtarake.

Kapitali i simpatisë që dukej se e gëzonte UÇK-ja në mesin e shqiptarëve pasi lufta përfundoi, e ushqeu oreksin për pushtet brenda kësaj lëvizjeje. Në fund të vitit 1999, Thaçi nisi përnjëmend karrierën politike duke njoftuar për themelimin e Partisë Demokratike të Kosovës, me komandantët e UÇK-së, të cilët në shumicë e kishin vendosur veten nën udhëheqjen e tij edhe në liri.

Thaçi shprehej atëherë se kjo parti “do t’i bashkojë të gjitha forcat që e përkrahën luftën për çlirim” dhe se ajo do të ishte “forca lëvizëse e luftës për pavarësi, për ndërtimin e një Kosove demokratike, multietnike dhe që i respekton të drejtat e njeriut”.

Ishte anëtar i Këshillit të Përkohshëm Administrativ (KPA), që ishte strukturë e përbashkët qeverisëse me misionin e OKB-së në Kosovë (UNMIK) deri në zgjedhjet e para parlamentare të vitit 2001, në të cilat pësoi disfatë të rëndë.

Nuk hoqi dorë kurrë nga përpjekja për t’u ngjitur deri në krye të shtetit, megjithëse e pa Lidhjen Demokratike të Kosovës, të udhëhequr nga Ibrahim Rugova të fitonte bindshëm pas luftës, zgjedhje pas zgjedhjesh.

Qëndroi fort në politikë për afro një dekadë pas luftës, mundi të bëhej deputet e më pas kryeministër e president.

Gjatë procesit negociator për statusin e Kosovës (2005 – 2007), të udhëhequr nga i dërguari i posaçëm i OKB-së, Martti Ahtisaari, Hashim Thaçi ishte anëtar i Ekipit të Unitetit në procesin që rezultoi me propozimin gjithpërfshirës për Pavarësinë e Kosovës.

PDK-ja e tij i fitoi zgjedhjet parlamentare të 17 nëntorit 2007, dhe Hashim Thaçi u zgjodh kryeministër i Kosovës më 9 janar 2008. Tash do të ishte përnjëmend kryeministër, kryeministri i parë i Kosovës shtet.

Thaçi e lexoi deklaratën e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008. Kosova u njoh shpejt nga të gjithë fuqitë perëndimore, por edhe më tej.

Partia e Thaçit do të ngrihej në rezultatet e zgjedhjeve pasuese, megjithëse pjesa paszgjedhore karakterizohej gjithmonë me vështirësi në formimin e qeverive. Në disa raste, të gjitha partitë kryesore në vend përjashtonin mundësinë e koalicionit me të, por në fund bëhej.

Vitet e para të Thaçit në pushtet karakterizohen me nisjen e disa projekteve të mëdha infrastrukturore, si ndërtimi i autostradës që e lidhë Kosovën me Shqipërinë.

Qeverisja e tij akuzohej nga disa organizata joqeveritare brenda dhe jashtë vendit për korrusion e nepotizëm.

Joe Biden, presidenti aktual i SHBA-së, e kishte cilësuar Thaçin si “George Washingtoni i Kosovës” në një rast në vitin 2010.

Në fund të vitit 2011 Thaçi fitoi sërish dhe mbeti në krye të shtetit.

Mandati i tij i dytë si kryeministër s’ishte i lehtë. Veçanërisht pasi senatori zviceran në Këshillin e Europës, Dick Marty publikoi një raport ku e akuzonte Thaçin dhe anëtarë të tjerë të UÇK-së për trafikim organesh, që pretendohej se u ishin marrë të ndaluarve serbë në vitet 1999 dhe 2000.

Partia e tij doli e para edhe në zgjedhjet e vitit 2014, por kryeministër u bë Isa Mustafa, atëherë kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Thaçi u bë zëvendëskryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme.

Në vitin pasues, në verën e vitit 2015, deputetët e Kuvendit të Kosovës me shumicë votash i kishin votuar ndryshimet kushtetuese që do ta mundësonin themelimin e Gjykatës Speciale. Pas një seance të gjatë, 82 deputetë kishin votuar pro themelimit, pesë kishin qenë kundër, ndërsa një kishte abstenuar. Kjo gjykatë supozohej se do t’i hetonte pretendimet e Dick Martyt.

Thaçi avokonte më së shumti për krijimin e kësaj gjykate, duke thënë se nëse s’do ta bënte Kosova, do ta kishte bërë Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara.

Në fillim të vitit 2016, kryetari i PDK-së dha dorëheqje nga partia për t’u bërë president i vendit, ndërkohë që jashtë Kuvendit mbahej një protestë e organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje, në përpjekje për ta penguar votimin.

Gjatë mandatit të tij si shef i shtetit, Hashim Thaçi mbahet në mend për negociatat me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq në një përpjekje për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare. Shkëmbimi i territoreve ishte një ide të cilën Thaçi e shtynte përpara dhe për të cilën u akuzua nga kundërshtarët në vend.

Ai po udhëtonte për në Washington për bisedime me Serbinë në Shtëpinë e Bardhë kur në qershor të vitit 2020 Prokuroria në Hagë njoftoi se ka paraqitur aktakuzë kundër tij.

Në nëntor të atij viti, Thaçi dhe katër ish-udhëheqës të tjerë politikë e ushtarakë të UÇK-së si Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi u dërguan për në paraburgim.

Arrestimet erdhën pasi një gjyqtar i procedurës paraprake i Gjykatës Speciale kishte konfirmuar aktakuzën ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së. Ata u akuzuan për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Aktakuza i bënte përgjegjës Thaçin, Veselin, Krasniqin e Selimin për një sërë krimesh që pretendohej se ishin kryer në disa qendra ndalimi gjatë viteve 1998-1999. Prokuroria e Specializuar i akuzoi ata edhe se kanë qenë ose duhej të ishin në dijeni të këtyre krimeve.


rëndëhashimspeciale

Të ngjashme

Hashim Thaçi falënderon qytetarët për mbështetjen e jashtëzakonshme, bën thirrje për qetësi

Hashim Thaçi falënderon qytetarët për mbështetjen e jashtëzakonshme, bën thirrje për qetësi

18:20
Andin Hoti: Do ta votoja “me dy duar” zhbërjen e Gjykatës Speciale

Andin Hoti: Do ta votoja “me dy duar” zhbërjen e Gjykatës Speciale

23:55
Sadiku: Sonte e kishim votu Hashim Thaçin për President, me i tregu Speciales e Serbisë në emër të kujt marrin vendime

Sadiku: Sonte e kishim votu Hashim Thaçin për President, me i tregu Speciales e Serbisë në emër të kujt marrin vendime

20:40
Sipas Gjykatës Speciale, për çka u dënuan ish-krerët e UÇK-së ?

Sipas Gjykatës Speciale, për çka u dënuan ish-krerët e UÇK-së ?

14:55

Më shumë nga Lajme

  • 18:15Bosch: Presidenti i ri i Kosovës, mbase mund t’i falë të dënuarit nga Specialja
  • 18:14Demaku: Specialja devijoi në një agjendë në favor të Serbisë
  • 18:07Hashim Thaçi mohon përfshirjen në vrasjen e Allaqit, Misetic: Gjykata i mbajti të fshehura provat, duam shqyrtim publik
  • 18:04Shënohet viktima e parë nga Virusi i Nilit Perëndimor në Kosovë
  • 17:53Pas dënimeve në Hagë, Richard Grenell poston foton e Bleona Qerretin me bluzën kuqezi