Anëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) kanë bërë ankesë të martën në Gjykatën Supreme ndaj vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) për ta urdhëruar Komisionin Qendror Zgjedhor (KQZ) ta certifikojë Listën Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale.
PZAP-ja e urdhëroi javën e kaluar komisionin zgjedhor ta certifikojë partinë më të madhe të serbëve në Kosovë – e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar – pak ditë pasi asaj iu mohua regjistrimi për pjesëmarrje në zgjedhjet e 12 tetorit.
Dy anëtarët e LVV-së në KQZ, Sami Kurteshi dhe Alban Krasniqi – të vetmit që votuan kundër certifikimit të kësaj partie – i kërkuan të martën Gjykatës Supreme ta rrëzojë vendimin e PZAP-së, konfirmuan për Radion Evropa e Lirë nga LVV-ja.
Ky rast është pothuajse një përsëritje e rastit të zgjedhjeve të përgjithshme të shkurtit, kur LVV e kishte kundërshtuar deri në Supreme pjesëmarrjen e Listës Serbe në zgjedhje, por pa sukses.
Vendimi për moscertifikimin e Listës Serbe është kritikuar nga vendet e QUINT-it dhe Bashkimi Evropian, të cilat i bënë thirrje Qeverisë në detyrë dhe partive politike të mos ndërmarrin ndonjë hap tjetër për ta penguar regjistrimin e Listës Serbe për zgjedhjet e tetorit.
Pse s’u certifikua Lista Serbe?
Zyra e Partive Politike në KQZ – që ka për detyrë shqyrtimin e aplikimeve të partive politike për t’u certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhje – rekomandoi certifikimin e Listës Serbe.
Megjithatë, Sami Kurteshi dhe Alban Krasniqi, ishin të zëshëm kundër certifikimit të saj, duke argumentuar se shumica e kandidatëve të saj janë pjesë edhe e strukturave paralele serbe, por e cilësuan këtë parti edhe si “dorë e zgjatur” e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, në Kosovë.
Kurteshi tha se “90 për qind të personave që janë në listat e kandidatëve të Listës Serbe janë të anëtarësuar në institucione paralele serbe në Kosovë”.
Ai e kundërshtoi kandidaturën e Sasha Millosheviqit për kryetar të Novobërdës duke thënë se ai ishte emëruar nga Qeveria serbe për kryetar të komunës së Gjilanit, komunë kjo paralele serbe.
