Hashim Miftari, i cili ishte arrestuar pasi lopa e tij kishte hyrë në oborrin e Gjykatës në Graçanicë, do të kërkojë inicimin e procedurës për shkarkimin e prokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Blerim Igrishta.
Lajmin e ka bërë të ditur avokati i tij, Tomë Gashi, i cili ka njoftuar se kërkesa do të dorëzohet të mërkurën, më 25 nëntor 2026, në orën 11:00, në Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK).
Gashi ka bërë të ditur se kërkesa do t'i drejtohet kryetarit të KPK-së, Arain Gashi, si dhe të gjithë anëtarëve të këtij institucioni.
“Ne konsiderojmë se me veprimet e tij, prokurori Blerim Igrishta ka kryer disa vepra penale dhe kërkesa për shkarkimin e tij nga pozita e prokurorit do t’i dërgohet kryetarit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, z. Arain Gashi, dhe të gjithë anëtarëve të KPK-së”, ka shkruar avokati.
Ndërkohë, kjo nuk është hera e parë që Miftari ndërmerr veprime ligjore ndaj prokurorit Igrishta.
