Në dosjen e Prokurorisë Speciale ndaj gjashtë të akuzuarve për barrikadat më 2022 në Komunën e Zveçanit, thuhet se më 28 dhjetor 2022, gjatë takimit në Rashkë të Serbisë në prezencë të Milan Radoiçiq, ish-kryetarëve të komunave veriore dhe ish-policëve të dorëhequr, Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiqi u kishte kërkuar largimin e barrikadave pas lirimit të Dejan Pantiqit.
Aktakuza e PSRK-së ngarkon gjashtë të akuzuarit: Dushan Maksimoviq, Milosh Radosavljeviq, Nemanja Joloviq, Dushan Dobrac, Sërgjan Vuniçiq dhe Nenad Orloviq për vepra penale kundër rendit kushtetues- saktësisht barrikadimin e rrugëve më 2022 në Komunën e Zveçanit. Aktakuza thotë se grupi kriminal u udhëhoq nga Milan Radoiçiq, i cili deri tash është i paarritshëm për drejtësinë, andaj janë pezulluar hetimet ndaj tij për këtë rast, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“ Me datë 28.12.2022 në Rashk -Serbi, i pandehuri Millan Radoiçiç, udhëheqës dhe zyrtar nga Lista Serbe, ish kryetarët e komunave veriore dhe ish policët e dorëhequr, kanë mbajtur një takim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç ku ky i fundit, u ka kërkuar që t’i heqin barrikadat brenda 48 orëve, pas lirimit të të arrestuarit Dejan PANTIÇ nga masa e paraburgimit ”, thuhet në dosjen e plotë të Prokurorisë që “ Betimi për Drejtësi ” e ka siguruar.
Sipas aktakuzës thuhet se barrikadat ishin hequr nga vetë personat një ditë pas takimit me Vuçiq në Rashkë të Serbisë. Aty thuhet se ishin gjithsej 16 barrikada.
“ Me date 29.12.2022 shumica e barrikadave nga vet personat që i kanë vendosur kanë filluar t’i heqin, gjatë heqjes janë parë persona të maskuar që janë marr me tërheqjen e makinerive që kanë qenë të vendosura në barrikada, ndërsa barrikada mbi urën te “Kërrshi i Dudës” me datë 03.01.2023 është tërhequr nga KFOR- i ndërsa, barrikada në rrugën e Zhazhës në Zveçan po ashtu është hequr nga KFOR-i me datë 05.01.2023 ” thuhet në këtë aktakuzë.
