Dogana e Kosovës, gjatë kontrolleve rutinore në Pikën e Kalimit Kufitar në Vërmicë, ka parandaluar tentativën për shmangie të detyrimeve doganore përmes mosdeklarimit të mallrave.
Gjatë kontrollit të hyrjes në territorin e Republikës së Kosovës, zyrtari doganor ka ndaluar për kontroll një automjet, i cili kishte hyrë me shpejtësi të lartë në territorin e Kosovës. Pas pyetjes së zyrtarit doganor nëse udhëtari kishte mallra apo vlera monetare për të deklaruar, shtetasi i huaj nuk ka deklaruar asnjë mall.
Bazuar në dyshimet e ngritura gjatë kontrollit fillestar, automjeti është orientuar në vijën e dytë për kontroll të detajuar. Gjatë kontrollit të automjetit, zyrtarët doganorë kanë zbuluar katër (4) orë dore të markës Rolex, me vlerë të përafërt prej 33,000 euro.




