Krasniqi ka thënë se PDK do t’i fitojë zgjedhjet e 12 tetorit.
Ai ka falënderuar katër kryetarët e komunave nga PDK që nuk do të jenë kandidat të partisë në këto zgjedhje, përfshirë edhe kreun e Drenasit Ramiz Lladrovcin.
Po ashtu falenëderoi edhe Bedri Hamzën, Fadil Nurën dhe Besim Ilazin nga Kaçaniku.
“Besimin se qeverisja mund të bëhet me ndershmëri, me dinjitet, me dije dhe me dashuri për çdo qytetar”, ka thënë ndër tjerash Krasniqi.
Më poshtë postimi i plotë i Krasniqit:
Të gatshëm për fitoren e radhës më 12 tetor!
Sot, Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës ka votuar dhe miratuar listën përfundimtare të kandidatëve tanë për kryetarë të komunave.
Një listë, që përtej emrave të përveçëm, paraqet vizion e guxim dhe garanton një qeverisje komunale në shërbim të qytetarëve.
31 kandidatë për kryetarë komunash, gra e burra me përvojë, integritet dhe përkushtim.
Në 5 komuna të tjera do të garojmë me lista të denja të këshilltarëve për Kuvendet Komunale, me njerëz që e duan vendin e tyre dhe dinë si t’i shërbejnë atij.
Në këtë mënyrë, Partia Demokratike e Kosovës konfirmon shtrirjen më të gjerë të garimit në nivel vendi, duke marrë pjesë në zgjedhje në 36 nga 38 komunat e Republikës së Kosovës, një dëshmi e fuqisë organizative, përfaqësimit të gjerë dhe besimit të qëndrueshëm në secilin cep të vendit.