Ish-ambasadorja e Kosovës, Alma Lama, ka vlerësuar se Kosova do të duhej të ishte e pranishme në samitin e NATO-s në Ankara, pavarësisht se nuk është shtet anëtar i Aleancës.
Duke folur në emisionin FIVE, Lama tha se Kosova është “konsumuese e sigurisë së NATO-s” dhe se përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës duhet të kërkojnë pjesëmarrje në këto takime, të cilat sipas saj janë të rëndësishme për zhvillimin e kontakteve diplomatike.
“Kosova do të duhej të ishte edhe në samitin në Ankara. Sigurisht që nuk është vend anëtar i NATO-s, por është konsumuese e sigurisë së NATO-s. Besoj se do të marrë një ftesë përfaqësuesit e shtetit të Kosovës, së paku për të qenë prezent dhe për të zhvilluar takime”, ka deklaruar Lama.
Ajo tha se pjesëmarrja e Kosovës në samitin e ardhshëm të NATO-s, i cili pritet të mbahet në Tiranë, varet nga organizatori, por shprehu shpresën që deri atëherë Kosova të ketë institucione funksionale dhe legjitime.
