Dita e tretë e protestës në Tiranë, e cila nisi në orën 09:00, u shoqërua me akte të shumta dhune, përplasje me Policinë dhe dëme të konsiderueshme materiale në institucione publike, banka dhe biznese private.
Protestues të maskuar hodhën gurë, tulla, sende të forta dhe fishekzjarrë në drejtim të institucioneve dhe efektivëve të Policisë. Gjatë protestës u sulmuan dhe u plaçkitën disa biznese, ndërsa u dogjën kioska dhe kabina rojesh në zona të ndryshme të kryeqytetit.
Përplasjet më të ashpra u regjistruan pranë Kryeministrisë, ku tensionet zgjatën rreth një orë e gjysmë. Për shpërndarjen e protestuesve, Policia përdori gaz lotsjellës dhe autobotë me ujë. Si pasojë e incidenteve, 26 persona mbetën të lënduar, ndërsa dy efektivë policie, një nga Durrësi dhe një nga Shkodra, përfunduan në spital.
Protesta nisi pranë Ministrisë së Arsimit, ku protestuesit shkulën kangjellat dhe goditën me gurë godinën. Gjatë tubimit u dëmtuan edhe biznese përgjatë Rrugës së Durrësit, ndërsa më pas protestuesit u zhvendosën drejt Kuvendit, ku Policia ndërhyri me gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën.
Tensionet vijuan pranë Ministrisë së Infrastrukturës, ku u thyen xhamat e godinës. Disa protestuese u shtrinë në rrugë, duke penguar lëvizjen e efektivëve, ndërsa Policia përdori spraj, gaz lotsjellës dhe ujë për të hapur rrugën.
Më vonë, protestuesit u kthyen në Rrugën e Durrësit, ku u dëmtuan edhe dy biznese pranë Muzeut Historik Kombëtar. Në njërin prej tyre u thye vitrina dhe protestuesit hynë brenda, duke dëmtuar ambientet dhe marrë një fikëse zjarri, e cila më pas u hodh në mes të materialeve që po digjeshin në rrugë.
