Në seancën e 8 dhjetorit të vitit 2022 , Basha në foltoren e Kuvendit kishte kritikuar ministrin Aliut se ajo çfarë po bënte ishte nismë jo parimore.
“Tash ky ligj ndryshohet edhe i ndërrohet edhe hyrja në fuqi. Që ta zëmë, ky ligj hyn në fuqi në mars 2023, legalizohen të gjitha ndërtimet deri në mars 2023… Pra, e bëjmë legalizimin e të gjitha ndërtimeve pa leje, sidomos ndërtesat”.
“Cili është interesi që një ndërtimtar ta legalizojë ndërtesën? Mendoj që qikjo s’është parimore, dhe kjo s’duhet me shku përpara. Puna kryesore e këtij ligji, mendoj unë është se e bën amnistimin e këtyre keqpërdoruesve që ndonjëherë janë quajtur edhe “mafi e betonit”. Këta jo që nuk dënohen por legalizohen”, i kishte thënë Basha-Aliut.
E për këto deklarata të deputetit atë kohë, Dimal Bashës, i ishte përgjigjur vetë Aliu, duke i thënë se kur të flas duhet të thotë të vërtetën, dhe se ai projektligj kishte qenë i domosdoshëm.
“E para po filloj nga çështja a ka ndryshuar Liburni. Ky ligj në leximin e parë është votu nga Lëvizja Vetëvendosje. Në leximin e dytë, as LVV e LDK nuk e ka votu, për shkak se e ka bojkotuar asokohe PAN-in. Prandaj kur të folni, thuajeni të vërtetën e saktë. Unë kërkoj prej deputetit Basha, po ta përmendi emrin që me mujtë me repliku. Pra ju sapo thatë që Liburni ka deklaruar ndryshe, e po deklaron sot ndryshe. Atë ditë kam deklaru njëjtë sikurse sot, pra viti 2018, njëjtë e deklaroj edhe sot. Projektligj i padrejtë, por i domosdoshëm”, kishte qenë reagimi i ministrit Aliu ndaj Bashës.