Meliza Haradinaj, këshilltarja e ish-presidentes Vjosa Osmani, ka reaguar ashpër ndaj bllokimit nga ana e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje të marrëveshjes për anëtarësimin e Kosovës në “Bordin e Paqes”, iniciativë kjo e ndërmarrë nga presidenti i ShBA-së Donald Trump.
Haradinaj, përmes një statusi në Facebook, tha se ajo çka ndodhi javën e kaluar, dhe ajo që u pa sot në Komisionin për Punë të Jashtme, sipas saj, e bën të qartë një gjë: në politikën e jashtme, vendimmarrja nga njerëz të paditur në pozita institucionale përbën rrezik të drejtpërdrejtë për shtetin dhe interesat afatgjata.
“Java e kaluar nuk ishte as keqkuptim dhe as gafë, por mungesë e thellë njohurie e dokumenteve bazë. ‘Ekspertët’ e Vetëvendosjes insistonin të ndryshonin nenin 2 të Projektligjit për Anëtarësimin e Kosovës në Bordin e Paqes dhe t’i përcaktonin po atij Bordi zonat se ku do të angazhohet për zgjidhjen e konflikteve në botë. Për këtë madje edhe themeluan Grup Punues, ku çuditërisht pranoi të ishte edhe një ish-Ministër i Jashtëm”, deklaroi ajo.
Haradinaj shtoi se Bordi i Paqes funksionon mbi një Kartë të miratuar tashmë nga shtetet themeluese, të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara.
“Ajo Kartë nuk interpretohet sipas dëshirës politike lokale dhe nuk rishkruhet në komisione parlamentare; ajo pranohet ose refuzohet. Çdo tentativë për të ndërhyrë në fushëveprimin e organizatës jashtë aktit themelues (Kartës), i cili përbën bazamentin juridik dhe normativ dhe përcakton mandatin e saj, është thjesht padituri. Si është e mundur të mos e dinin këtë disa deputetë në Komision të PJ?!”, u shpreh Haradinaj.
Ish-këshilltarja e Presidentes Osmani, shtoi se pas gjithë insistimit, “ekspertët” sot u zmbrapsën dhe kaluan projektligjin e dërguar nga Presidentja qysh më 12 shkurt, pa asnjë ndryshim.
