Deklarata e presidentes të Kosovës, Vjosa Osmani se nuk bënë homazhe në një vend ku UÇK-ja quhet terroriste, nga bashkëpunëtorët e ish-presidentit Hashim Thaçi po konsiderohet se është një manipulim dhe e pandershme nga ana e të parës së shtetit.
Osmani e bëri këtë deklaratë në podkastin “Nerv” kur u pyet se pse asnjëherë nuk ka bërë homazhe në Grackë të Lipjanit për serbët e vrarë, pasi që paraardhësi i saj i kishte nderuar ata. Ish-këshilltari i presidentit Thaçi, Ismail Syla ka thënë për KosovaPress se është një përpjekje e Osmanit për ta goditur Thacin në trashëgiminë më të fortë – në qenien e tij të dëshmuar patriotike.
Duke vlerësuar se presidentja iu është përgjigjur pyetjeve të kurdisura, ai kujtoi se Thaçi ka nderuar viktimat dhe jo pllakën me shkrime terroriste.
“Një deklaratë të tillë e konsideroj në kuadër të manovrimeve kur pyetjet dhe përgjigjet janë të kurdisura. Është një përpjekje për të goditur në trashëgiminë më të fortë të Presidentit Thaçi, në qenien e tij të dëshmuar patriotike. Një deklaratë e tillë është një manipulim dhe nuk është i ndershëm as nuk ka etikë të intervistuarit. Presidenti Thaçi, në ato vizita nuk ka vizituar pllakat e shkruara terroriste sepse ato janë pllaka që i ka manipuluar një shtet i caktuar, ai i ka vizituar viktimat. Dihet që viktimat janë viktima çoftë civile shqiptare, çoftë të një nacionaliteti tjetër”, ka thënë Syla.

