Eugen Cakolli nga KDI, ka reaguar në lidhje me deklaratën e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, pasi ky i fundit u zotua të angazhohet sërish në normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, duke thënë tani Kosova nuk mund të jetë as pasive, as e paqartë .
Cakolli po ashtu ka deklaruar edhe se nga rikthimi i Trump është bërë e qartë se logjika e imponimit do të jetë në qendër të veprimit diplomatik.
Ai ka vlerësuar edhe se ndryshimi globale po ndodh në një moment kur Kosova është më së paku e përgatitur për të, dhe se, siç ka thënë ai, kur shteti është në pauzë.
‘‘Ka një mori mësimesh që duhet nxjerrë nga situata me Iranin dhe përfshirja vendimtare e Trumpit në “zgjidhjen” e saj. Që nga rikthimi i tij, është bërë e qartë se me administratën Trump, logjika e imponimit do të jetë në qendër të veprimit diplomatik – me një largim nga rendi i parashikueshëm ndërkombëtar. Përmendja e Kosovës, në kontekst të dialogut me Serbinë, nga Trump – si një çështje që “e kishte zgjidhur” – ishte një kujtesë se problemet e hapura, mund të rikthehen në tavolinë kur e kërkojnë rrethanat, jo palët. Dhe, kur rikthehen, zakonisht përfundojnë si zgjidhje të imponuara. Kosova nuk mund të jetë as pasive, as e paqartë. Ky ndryshim global po ndodh pikërisht në një moment kur Kosova është më së paku e përgatitur për të. Shtetin e kemi në pauzë, lidershipin politik të fragmentuar dhe diplomacinë thuajse inekzistente, që në rastin më të mirë – reagon ndaj zhvillimeve’’, ka deklaruar ai.
