Shtetet e Bashkuara e renditën Kosovën në Nivelin 2 në raportin e fundit për Trafikimin e Qenieve Njerëzore.
Kjo kategori përfshin vendet ku qeveritë bëjnë përpjekje të konsiderueshme për të luftuar trafikimin me njerëz, por ende nuk arrijnë të përmbushin plotësisht standardet minimale ndërkombëtare.
Në të njëjtën kategori renditen edhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor: Shqipëria, Serbia, Mali i Zi, Bosnje e Hercegovina dhe Maqedonia e Veriut.
Raporti, i publikuar më 29 shtator nga Departamenti amerikan i Shtetit, vë në pah se Kosova ka intensifikuar përpjekjet për të luftuar trafikimin krahasuar me vitin e kaluar, duke përfshirë ndjekjen penale të një numri më të madh personash të dyshuar për trafikim dhe identifikimin e shumë viktimave.
Gjithashtu, është rritur edhe financimi për mbështetjen e viktimave, si dhe fondi për kompensimin e tyre.
Megjithatë, Qeveria nuk i ka përmbushur disa standarde minimale në fusha kyçe, ndaj Kosova mbetet në Nivelin 2, sikurse edhe në raportimin e mëparshëm. Mangësitë kryesore përfshijnë: dënimin e paktë të trafikantëve dhe shqiptimin e dënimeve nën minimumin e parashikuar me ligj.
Raporti, gjithashtu, thekson se rastet e fëmijëve të detyruar nga prindërit për të lypur rrugëve, trajtohen shpesh si neglizhencë ose keqtrajtim, e jo si trafikim, duke ngritur shqetësime për identifikimin e pasaktë të viktimave.
“Qeveria nuk ka pasur kapacitet për të ofruar ndihmë afatgjate dhe ka ndarë më pak fonde për fushatat e ndërgjegjësimit”, thekson raporti.
Kush është më i cenueshëm ndaj trafikimit?
Trafikimi prek të gjitha komunitetet në Kosovë, sipas raportit të Departamentit amerikan të Shtetit.
Gratë dhe vajzat rekrutohen me premtime të rreme për martesë ose punë si këngëtare dhe valltare, por më pas trafikohen seksualisht në shtëpi private, klube nate ose qendra masazhi.
Viktimat përfshijnë jo vetëm kosovare, por edhe gra nga Shqipëria, Moldavia, Mali i Zi, Rumania, Serbia dhe vende të tjera evropiane.
Kosovarët, po ashtu, shpesh detyrohen të bëjnë punë seksuale dhe të tjera në Evropë.
Në anën tjetër, fëmijët nga Kosova, Shqipëria dhe vendet fqinje shpesh shfrytëzohen për lypje të detyruar.
Komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian janë veçanërisht të rrezikuara, ashtu si edhe personat LGBTQ+, migrantët, azilkërkuesit dhe refugjatët.
