Ministria e Brendshme e Serbisë ka njoftuar arrestimin e Osman Selmanit, të cilin e akuzon për përfshirje siç thotë “në një rast vrasjeje të kryer gjatë luftës në Kosovë në vitin 1999”.
Sipas njoftimit të MPB-së serbe, Selmani dyshohet se në vendin Sofali të Prishtinës, në bashkëkryerje me disa pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka marrë pjesë në vrasjen e një çifti civil serb, duke përdorur armë të ftohta dhe armë zjarri në mënyrë “mizore dhe tinëzare”. Në njoftim nuk sqarohet nëse i dyshuari ka qenë vetë pjesëtar i UÇK-së.
Ndërkohë, familjarët e Osman Selmanit kanë konfirmuar arrestimin e tij, duke deklaruar se ai është ndaluar më 1 korrik 2026 në pikën kufitare në Motivot, teksa po kthehej nga vendlindja e tij. Sipas tyre, autoritetet serbe kanë vepruar pa dhënë fillimisht sqarime për arsyet e ndalimit.
Djali i Osmanit, Arben Selmani, gjatë një intervistë të realizuar nga gazetarja Gremisa Latifi në emisionin “Info Magazine” në Klan Kosova ka shprehur shqetësim për gjendjen e babait të tij dhe ka dhënë detaje mbi arrestimin.
“Si familje jemi të brengosur shumë. Prindi është arrestuar më 1 korrik 2026 në pikën kufitare në Motivot. Në ora 17:00 është ndaluar dhe ka qëndruar rreth katër orë aty pa marrë sqarim. Më pas ka ardhur një patrullë nga Medvegja, e kanë marrë dhe e kanë dërguar në Leskovc, pastaj në Beograd. Për dy ditë nuk kemi pasur asnjë informacion”, ka deklaruar ai.
