Vendimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për pezullim të dialogut strategjik me Kosovën po shihet si shqetësues për vendin.
Zyrtarë të lartë të Partisë Demokratike të Kosovës po e akuzojnë kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, se po cenon dhe rrezikon seriozisht aleancën me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sipas tyre, që nga ardhja në pushtet e Kurtit ka pasur përshkallëzim të raporteve mes Kosovës dhe ShBA-së. Në anën tjetër, edhe profesorë të marrëdhënieve ndërkombëtare konsiderojnë se vendimi i ShBA-së është negativ për vendin, si dhe kërkojnë nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, që të ndryshojë qasjen në mënyrë që dialogu strategjik me ShBA-të të rikthehet.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë njoftoi të premten se kanë pezulluar dialogun e planifikuar strategjik me Kosovën, për shkak, siç thuhet, të shqetësimeve lidhur me veprimet e Qeverisë në detyrë.
Reagimi i ShBA-së vjen në kohën kur Kurti ka adresuar një varg kritikash ndaj Gjykatës Kushtetuese, në lidhje me konstituimin e Kuvendit të Kosovës, si dhe qeveria në detyrë ka mbyllur disa struktura paralele serbe në Kosovë, për çka të shtunën ka reaguar edhe Bashkimi Evropian.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka qëndruar i heshtur prej të premtes kur është marrë vendimi i ShBA-së, mirëpo, zëdhënësi i tij, Përparim Kryeziu, ka thënë se Republika e Kosovës është partneri më serioz i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për stabilitet, siguri dhe paqe në rajon, derisa ka theksuar se të gjitha veprimet e qeverisë në detyrë janë në përputhje me ligjin dhe Kushtetutën e vendit.
Kurse, sot Ambasada e SHBA-së në Kosovë u ka thwnw mediave se dëshiron që të ecë para me qeverinë në detyrë, por ka shtuar se ka nevojë për partner të përkushtuar dhe që e kupton nevojën për evitimin e veprimeve destabilizuese.
Sekretarja e përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, thotë për KosovaPress, se të premten, kur është bërë publik njoftimi i ShBA-së për pezullim të dialogut strategjik me Kosovën, ka qenë dita më e errët në historinë e re politike të Kosovës që nga shpallja e pavarësisë.
Sipas saj, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, po e rrënon aleancën me ShBA-në, të cilën, siç thotë ajo, Hashim Thaçi dhe lidershipi i viteve 1999, kanë arritur të krijojnë përmes urave të bashkëpunimit me ShBA-në në kohë lufte dhe rrethana lufte.
“Ka qenë dita më e errët në historinë e re politike të Kosovës. Në fakt, ndoshta dita më e errët që nga shpallja e pavarësisë. Çdo gjë që kemi arritur në këto njëzet e gjashtë vite çlirimi, pavarësia, shtetndërtimi, konsolidimi i subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës ka qenë produkt i një koordinimi të ngushtë mes Kosovës dhe aleatëve të saj…Imagjinojeni: Hashim Thaçi dhe lidershipi i asaj kohe kanë arritur të krijojnë ura bashkëpunimi dhe aleanca me SHBA-në, NATO-n dhe BE-në, në rrethana okupimi, në kohë lufte. Ndërkohë, Albin Kurti nga komoditeti që i ofron zyra e kryeministrit po i cenon dhe po i rrezikon seriozisht ato….Që nga ardhja në pushtet e kësaj kaste qeverisëse, ne kemi parë në vazhdimësi përshkallëzim të raporteve me SHBA-të. Janë bërë më shumë se pesë vite që kur këmba e asnjë zyrtari të lartë shtetëror të Kosovës nuk ka shkelur në Shtëpinë e Bardhë, në Zyrën Ovale. Kjo është diçka që nuk na ka ndodhur asnjëherë më parë”, thotë ajo.
Në anën tjetër, profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Afrim Hoti, thotë për KosovaPress,, se vendimi i ShBA-së për pezullim të dialogut strategjik me Kosovën është një sinjal i fuqishëm për kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, se i njëjti duhet të ndryshojë qasjen në raport me aleatët.
Ai tregon në detaje se çka do të thotë për ShBA-në dialogu strategjik dhe cilat tema i prek i njëjti.
Megjithatë, Hoti tregon se pezullimi i dialogut strategjik nuk nënkupton në mënyrë të menjëhershme shkëputje të raporteve dhe marrëdhënieve bilaterale.


