Ish-ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku, tha se ngërçi institucional i shkaktuar nga moskonstituimi i Kuvendit të Kosovës po i kushton shtetit me pasoja të rënda politike, ekonomike dhe sociale.
Ajo në një intervistë për Ekonomia Online, tha se e gjithë kjo situatë është rezultat i egoizmit politik të kryeministrit Kurti dhe ambicies së ministres Haxhiu për t’u bërë kryetare e Kuvendit.
“Është një skenar, të cilin nuk kemi mundur ta imagjinojmë në vitin 2008, kur kemi shpallur pavarësinë dhe kur kemi pranuar njohje të fuqishme ndërkombëtare. Pasojat po i vërejmë çdo ditë. Ne tash e gjashtë muaj nuk flasim për 200 mijë pensionistë të Kosovës, të cilët në fund të muajit duhet të zgjedhin mes barnave dhe ushqimit. Nuk flasim për mijëra mësues dhe punëtorë të sektorit të arsimit, të cilët ballafaqohen me sfida të mbijetesës. Nuk flasim për policët, nuk flasim për ushtarët, nuk flasim për mjekët, nuk flasim për 140 mijë punëtorë të sektorit privat, vendet e punës të të cilëve po rrezikohen nga vendimet arbitrare të qeverisë Kurti në sektorin e energjisë. Tash e gjashtë muaj ne flasim për egon e një njeriu: Kurtit dhe ambicien e Haxhiut për t’u bërë kryekuvendare”, tha Çitaku.