Nënkryetarja e PDK’së, Vlora Çitaku, duke komentuar deklaratën e ministres serbe për Administratë Publike dhe Vetëqeverisje Lokale, Snezhana Paunoviq, e cila tha se, po të ishte në vend të ish-presidentit serb, Sllobodan Millosheviq, në vitin 1998, do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën”, tha se kjo dëshmon që ideologjia gjenocidale në Serbi nuk është mposhtur.
Ajo tha se zërat që glorifikojnë krimet vazhdojnë të jenë në institucionet serbe.
“Kur e dëgjon një ministre të Qeverisë së Serbisë të thotë se Serbia është dashur ta spastronte etnikisht Kosovën në vitin 1998, e kupton se problemi nuk është vetëm e kaluara. Problemi është se ideologjia që prodhoi gjenocid, masakra dhe dëbime masive ende nuk është mposhtur. Pra, sipas tyre, nuk paskan vrarë mjaftueshëm. Nuk paskan djegur mjaftueshëm. Nuk paskan dëbuar mjaftueshëm. Kjo nuk është vetëm fyerje për viktimat e luftës. Është dëshmi se Serbia ende nuk është përballur me të kaluarën e saj kriminale dhe se zërat që glorifikojnë krimet vazhdojnë të kenë vend në institucionet e saj”.
