Ushtruesja e detyrës së kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka bërë të ditur se kjo parti do të hyjë në një proces të rregullt zgjedhor të brendshëm, duke përjashtuar mundësinë e mbajtjes së një kuvendi të jashtëzakonshëm.
Në një konferencë për media, Çitaku ka shpjeguar se procesi zgjedhor do të zhvillohet në disa faza, duke nisur nga nëndegët, degët dhe përfaqësimi i delegatëve, për të përfunduar me konventën e partisë, e cila do të zgjedhë Këshillin Drejtues dhe kryetarin apo kryetaren e re të PDK-së.
“Nuk do të jetë kuvend i jashtëzakonshëm, por PDK-ja do të hyjë në një cikël të rregullt zgjedhor. Cikli i rregullt i brendshëm zgjedhor nënkupton zgjedhjet nga niveli i nëndegëve, pastaj i degëve, pastaj i delegatëve që përfaqësohen në konventë dhe, në fund, mblidhet konventa e partisë që zgjedh Këshillin Drejtues dhe kryetarin apo kryetaren e re të Partisë Demokratike të Kosovës”, tha Çitaku.
Ajo ka bërë të ditur se aktualisht PDK-ja është në fazën përfundimtare të përgatitjes së rregullave normative, të cilat do të përcaktojnë mënyrën e zhvillimit të garës zgjedhore në nivelet e ndryshme të organizimit të partisë.
“Në këtë fazë, ne jemi duke përgatitur dhe jemi në fazën finale të përgatitjes së rregullave normative që përcaktojnë rregullat e garës në nivele të ndryshme përfaqësuese të Partisë Demokratike të Kosovës. Jemi në fazë finale përgatitore dhe po besoj që shumë shpejt do të kemi edhe shpalljen e zgjedhjeve, edhe pse ato nominalisht janë të shpallura formalisht, por puna në terren. Po besoj që shumë shpejt Komisioni do të vendosë që në këtë fazë prioriteti i parë i Partisë Demokratike të Kosovës është miratimi i ligjit dhe miratimi i një varg vendimesh në kuadër të grupit strategjik që është themeluar nga Institucioni i Kryesisë”, shtoi.
Çitaku ka vlerësuar se procesi i ardhshëm zgjedhor do të jetë një mundësi për zhvillimin e zgjedhjeve demokratike brenda partisë, duke rikujtuar se PDK-ja nuk ka mbajtur zgjedhje të brendshme në të gjitha nivelet që nga viti 2019.
Sipas saj, ky proces nuk duhet të kufizohet vetëm në zgjedhjen e kryetarit të ri, por duhet të shërbejë edhe për diskutimin e orientimit dhe të ardhmes së partisë.
“Po, unë po besoj që ky do të jetë një proces i shëndetshëm zgjedhor dhe demokratik. PDK-ja nuk ka pasur zgjedhje të brendshme në të gjitha nivelet nga viti 2019, dhe kjo do të jetë një mundësi e mirë jo vetëm për të zgjedhur kryetarin, por edhe për të riimagjinuar vetveten, për të ridefinuar PDK-në për të ardhmen: fillimisht në opozitë, por pastaj edhe si udhëheqëse e institucioneve të Kosovës”, potencoi ajo./EO/