Sekretarja e PDK-së, Vlora Çitaku, i ka reaguar Komisioneres Evropiane për Zgjerim, Marta Kos, e cila tha se ndryshimet në Ligjin për Specialen janë të papranueshme për BE-në.
Çitaku tha se Kos duhet të shqetësohet për drejtësinë e procesit në Dhomat e Specializuara në Hagë, jo për ligjet që i miratojnë deputetët e Kuvendit të Kosovës si përfaqësues të popullit
"Askush nuk dëshiron t’i shmanget drejtësisë. Përkundrazi, duam që procesi të kthehet në binarë të drejtë, të garantohet një gjykim i drejtë dhe të respektohen të drejtat themelore të njeriut."
Ajo tha se Specialja është themeluar për ta hequr një njollë të zezë nga historia, atë të pretendimeve për trafikim të organeve që burojnë nga raporti i Dick Marty-t, e jo për t’ia sjellë Kosovës një njollë të re, atë të ndërmarrjes së përbashkët kriminale, duke vënë në pikëpyetje karakterin çlirimtar të luftës sonë.
"Kosova nuk po shkel asnjë nga detyrimet që ka marrë përsipër në raport me Bashkimin Evropian. Gjykata Speciale nuk do të mbyllet. Ajo do të vazhdojë të ekzistojë dhe të ushtrojë mandatin e saj. Debati për ndryshimet ligjore nuk nënkupton shmangie nga drejtësia, por synon që procesi të zhvillohet në përputhje me parimet e drejtësisë dhe të drejtat themelore të njeriut."
Ajo thotë se shkeljet e të drejtave të njeriut në këtë proces janë dokumentuar edhe nga The Bar Human Rights Committee of England and Wales (BHRC).
"Këto shqetësime meritojnë vëmendje serioze dhe trajtim të drejtë."
Ndër të tjera, deputetja e përmendi se presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka deklaruar se Kosovës i takon të vendosë për ndryshimet ligjore.

