Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka kujtuar se si gjatë kohës ku ajo shërbente si ambasadore e Kosovës në SHBA, ishte goditur me vezë teksa ishte pjesë e një bashkëbisedimi me Christopher Hill, në Universitetin e Colorados.
Çitaku ka kujtuar se si vajza nga e cila ishte sulmuar, e kishte quajtur deputeten e PDK ‘’ vrasëse e kriminele ( duke aluduar në rastin Dehari)’’.
‘‘Për dekada, eksponentë të VV-së kanë sharë, fyer e kërcënuar. Kanë mbjellë helm e kanë stigmatizuar. Si pasojë, shoqëria jonë është më e polarizuar se kurrë më parë. Pjesë të përgjegjësisë kemi edhe ne, sepse shpesh kemi zgjedhur heshtjen në vend të ligjit, faljen në vend të drejtësisë’’, ka shkruar ajo mes tjerash.
Ajo ka thënë edhe se dhuna, qoftë fizike apo verbale, nuk duhet as të amnistohet, as të normalizohet.
Këto komente Çitaku i ka bërë një ditë pas incidentit fizik ku është përfshirë deputeti i LDK-së Armend Zemaj, me një qytetar, në sheshin e Prishtinës.
Postimi:
Nuk e harroj kurrë, diku para tetë vitesh, isha në Universitetin e Colorados, në një bashkëbisedim për Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor.
Isha mysafire e Ambasadorit Christopher Hill, i cili atëkohë shërbente si dekan në Departamentin për Marrëdhënie Ndërkombëtare.
