Qytetarët dhe pjesëmarrësit në trafik, sidomos ata të rajonit të Ferizajt, duhet të llogarisin në kufizime të përkohshme të qarkullimit në disa segmente rrugore më 24 dhe 25 qershor (të mërkurën dhe të enjten) për shkak të mbajtjes së Kampionatit të Kosovës në Çiklizëm 2026.
Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka njoftuar se garat do të zhvillohen në aksin Ferizaj – HIB Petrol në Bibaj, përmes segmentit të autostradës “Arbër Xhaferi”, si dhe në rrugët që përfshijnë Ferizajn, Hanin e Elezit dhe Trudën.
Sipas njoftimit, dita e parë e kampionatit, më 24 qershor, do t’i kushtohet garës individuale me kronometër (ITT). Gara nis në orën 10 nga relacioni Ferizaj – HIB Petrol, Bibaj – Babush dhe zhvillohet në segmentin e autostradës “Arbër Xhaferi”, ndërsa përfundimi është paraparë në orën 12.
