Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, publikoi për herë të parë një letër që në vitin 2022 ia kishte dërguar kryetares së Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova.
Publikimi i kësaj letre ndodhi në ditën kur ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës mbushën pesë vite nga arrestimi i tyre.
Në letër, Kurti kërkoi lirimin e ish-krerëve të UÇK-së, duke theksuar se nuk ka as arsye ligjore e as morale që Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi të mbahen në paraburgim.
Më tej, Kurti ofroi garanci shtetërore për lirimin me kusht të tyre, duke theksuar se Policia e Kosovës mund të mbikëqyr arrestin shtëpiak nëse do të ishte e nevojshme.
Kurti tha se për çështjen e tyre ai punon në heshtje, duke shpjeguar se “puna më efektive bëhet pa zhurmë”, dhe theksoi se kërkesat e tij “qëndrojnë akoma, e në Kosovë ekzistojnë të gjitha garancitë për përgjigje pozitive ndaj tyre”.
Të katër ish-udhëheqësit e UÇK-së vazhdojnë të mbahen në paraburgim në Hagë, ndërsa procesi gjyqësor ka kaluar në fazën e mbrojtjes.
Çka thuhet në letër?
E nderuar Gjykatëse Trendafilova,
Ndërsa shënojmë Ditën Ndërkombëtare të Paqes, na kujtohet sot gjithçka që ka kaluar vendi ynë, dhe gjithçka që ka përpjekur të arrijë që pas luftës së fundit: jo vetëm paqen, por edhe lirinë, barazinë, unitetin dhe integrimin, të vërtetën dhe drejtësinë.
Po ju drejtohem pikërisht në këtë ditë sepse shumë herë duket sikur historia po i shpëton, po harrohet dhe po sulmohet nga gënjeshtra, dezinformimi dhe fushata me qëllime të këqija.
Një nga shqetësimet tona janë Dhomat Speciale, gjykata që u themelua në vitin 2015 dhe që filloi punën me aktakuzat e para në vitin 2020. Në fillim të nëntorit, do të shënojmë dy vjet që nga personat më së fundmi të akuzuar nga Kosova mbahen në paraburgim në Hagë, disa prej tyre edhe më gjatë.
Para disa muajsh pata mundësinë të takoja të gjitha ekipet mbrojtëse dhe të dëgjoj ankesat, kërkesat dhe shqetësimet e tyre për tërë procesin. Për këtë arsye po ju shkruaj drejtpërdrejt – për të ndarë dhe adresuar këto shqetësime të cilat janë të jashtëzakonshme për popullin tonë, për familjet e të akuzuarve, për sistemin e drejtësisë dhe, do të supozoja, edhe për vetë gjykatën.
