Politikani serb nga Vojvodina që njeh pavarësinë e Kosovës, Nenad Çanak, në një bisedë për “Euronews Albania”, deklaroi se në Serbi mungon një alternativë e qartë politike dhe se lëvizja studentore vazhdon të jetë pa drejtim të unifikuar.
Ai solli në vëmendje edhe mundësinë që figura publike me ndikim, si tenisti Novak Gjokoviq, të mund të shfaqen si simbol i ndryshimit politik në vend, megjithëse sipas tij kjo nuk garanton orientimin që do të marrë Serbia në të ardhmen.
Politikani serb u ndal gjithashtu te përdorimi i çështjes së Kosovës në diskursin politik serb, duke e konsideruar atë si një instrument për të devijuar vëmendjen e opinionit publik nga problemet e brendshme.
“Dikush si, për shembull, lojtari i tenisit Novak Gjokoviq mund të kthehet në lider të ndryshimit, por e gjitha kjo është e mundur dhe ende nuk jep përgjigje se cilën rrugë do të zgjedhë Serbia. Në Hungari u zgjodh qartë shtegu evropian i drejtuar nga Peter Magyar, ndërsa në Serbi ende nuk e dimë se cilën rrugë do të zgjedhim për të ardhmen”.
“Kosova është mënyra më e mirë, ashtu siç ka qenë për 40 vitet e fundit, për të hutuar njerëzit dhe për të devijuar vëmendjen e tyre, duke thënë se duhet të mbrojmë qytetarët serbë në Kosovë, ndërkohë që harrohet fakti se në Kroaci apo në vende të tjera pothuajse nuk ka më serbë. Kjo politikë i shërben kujtdo që nuk është i interesuar për sundimin e ligjit në Beograd”, u shpreh Çanak.
