Në dhjetë ditët e fundit, Kosova përmbylli proceset nga konstituimi i Kuvendit, formimi i qeverisë së re e deri te miratimi i marrëveshje ndërkombëtare si dhe buxhetin për këtë vit.
Ndërkohë që përpara ka dhe një sfidë: Ta zgjedhë kreun e shtetit.
Është folur për nisjen e konsultimeve, bashkëpunimin ndërmjet të gjitha partive dhe një marrëveshje në drejtim të një emri për shefin e ri të shtetit, megjithëkëtë, nga këndvështrimi i njohësve të fushës, kjo klasë politike, pozitë dhe opozitë, po vonohet drejt nisjes së debatit për çështjen e presidentit.
“Kjo klasë politike po e lë për momentet të fundit këtë çështje, prandaj do të duhej ashtu siç është premtuar nga kryeministri, që të fillojë diskutimi me partitë tjera, pra të opozitës. Kjo heshtje është e dëmshme, opinioni do më shumë transparencë, më shumë debat për çështjen e presidentit, dhe nuk do të duhej të shtyhej më shumë. Është urgjente, do të duhej të shfrytëzohej çdo minutë, çdo orë”, ka thënë për RTK-në, prof. Mazllum Baraliu, njohës i çështjeve kushtetuese.
